Haradinaj thirret në Uashington

Autori:Avdyl Pajaziti

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj është ftuar nga Departamenti amerikan i Shtetit për një vizitë javën e ardhshme në Uashington. Ai pritet të takohet me zyrtarë të DASH për të diskutuar për zhvillimet e fundit politike në Kosovë.

Top Channel ka mësuar nga burime diplomatike në Prishtinë se, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë do t’i kërkojnë Ramush Haradinajt, që të shohë mundësinë dhe t’i bindë deputetët e partisë së tij për ta votuar Gjykatën Speciale, e cila do të gjykojë krimet e pretenduara të UÇK-së.

Top Channel ka kontaktuar zyrtarë të lartë të AAK-së, por ata nuk kanë dashur të flasin rreth kësaj vizite, me arsyetimin se kur ajo të ndodhë, do të dërgojnë njoftim zyrtar për mediet.

Kërkesa e Uashingtonit zyrtar, që Haradinaj ta mbështesë Gjykatën Speciale, vjen pak ditë përpara se Kuvendi i Kosovës të miratojë ndryshimet e nevojshme kushtetuese, që i hapin rrugë krijimit të Gjykatës Speciale.

Për t’u siguruar se Kuvendi është gati të hyjë në procedurën e ndryshimeve, që i ka vlerësuar pozitive edhe Gjykata Kushtetuese, Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka takuar ndaras, këtë të premte, shefat e grupeve parlamentare.

Presidentja kosovare i ka njoftuar krerët e grupeve parlamentare për zotimet, që ka marrë Kosova për formimin e Gjykatës Speciale, ndërsa i ka ftuar që t’i miratojnë ndryshimet kushtetuese.

Pas takimit me Jahjagën, përfaqësuesit e subjekteve të koalicionit qeverisës deklaruan votën pro formimit të gjykatës, me arsyetimin se, nëse Kosova nuk e voton atë, atëherë gjykata do të votohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Ndërsa përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Nismës për Kosovën u shprehën kategorikisht kundër formimit të kësaj gjykate dhe thanë se do të votojnë kundër saj. Partia tjetër opozitare, që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj nuk ka dhënë kurrfarë deklarate gjatë së premtes, pas takimit me Presidenten Atifete Jahjaga.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/haradinaj-thirret-ne-uashington/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala