Haradinaj padit Gazmend Muhaxherin për fyerje dhe shpifje

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes avokatit të tij Arianit Koci ashtu siç kishte paralajmëruar e ka dorëzuar sot në Gjykatën Themelore të Pejës padinë kundër kryetarit të kësaj komune, Gazmend Muhaxherit.
Avokati i Hardinajt, Arianit Koci ka thënë për Klan Kosovës se padia është dorëzuar për shkak të shpifjve dhe fyerjeve që i ka bërë zoti Muhaxheri në drejtim të klientit të tij.
“Fjalorin të cilin e ka përdorur dhe shpifjet nga z. Muhaxheri e kalojnë diskursin politik dhe kalojnë në domenin civil dhe juridik. Ato shpifje e kanë dëmtuar rëndë reputacionin e zotit Haradinaj,” ka thënë Koci për Klan Kosovën.
Kjo padi është bërë për shkak se i pari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, në një intervistë dhënë gazetës austriake Der Standard ka thënë se Haradinaj e ka humbur mbështetjen ngase ende fiton përmes bixhozit dhe naftës duke aluduar se Haradinaj ka pasur lidhje me disa banda që kanë qenë të përfshira në vrasje.