Haradinaj: Institucionet të kenë përgjegjësi të shtuar për veriun

Autori:Avdyl Pajaziti

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përmes një njoftimi thotë të ketë përmbyllur sot me sukses proceset zgjedhore në degët në Mitrovicë të Jugut dhe në Mitrovicën e Veriut.

Pas zgjedhjes së Këshillit Drejtues të degës, u zgjodh edhe kryetari i degës së AAK-së në Mitrovicën e Jugut, Esat Peci, magjistër i shkencave të gjeologjisë.

Kryetari Peci pas marrjes së besimit nga ana e Këshillit Drejtues, delegatët e Kuvendit i ka përshëndetur dhe falënderuar për besimin. Ai u zotua se do të vazhdojë me punë në forcimin dhe zhvillimin e mëtejmë të Aleancës në Mitrovicë.

Kuvendin e ka përshëndetur edhe Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Ai ua ka përcjellë mirënjohjen për punën e palodhshme strukturave të AAK-së në Mitrovicë, dhe mbështetjen e tij dhe të Kryesisë së AAK-së për punën e kësaj dege. Gjendja e rëndë ekonomike, korrupsioni, moszbatimi i ligjit dhe shumë arsye të tjera janë tregues i gjendjes së rëndë në Kosovë, si dhe tregues i qartë për nevojën e ndryshimit të qeverisjes në vend, citohet të ketë thënë mes tjerash Haradinaj.

Po sot kuvendin zgjedhor e ka zhvilluar edhe Dega e AAK-së në Mitrovicën e Veriut, ku nga besimin për të udhëheqë me degë edhe në mandatin vijues e ka marrë Gëzim Alushi.

Edhe atje Haradinaj ka thënë se Aleanca do të punojë me përkushtim edhe më të madh për integrimin e veriut në kuadër të institucioneve dhe të vendit.

“Veriu i Kosovës është po aq i paprekshëm sa edhe secila pjesë tjetër e vendit, dhe institucionet tona duhet të kenë përgjegjësi të shtuar për veriun”, ka thënë Haradinaj.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/haradinaj-institucionet-te-kene-pergjegjesi-te-shtuar-per-veriun/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala