Hapet për vizitorë shtëpia muze e Ismail Kadaresë

Autori:Gazeta Fjala

Kjo foto është realizuar brenda shtëpisë-muze dhe tregon atë që është djepi që lindi letërsinë shqiptare.

Me rastin e 80-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të madh, Ismail Kadare, shtëpia e tij në Gjirokastër, tashmë muze, ka hapur dyert për politikanë, shkrimtarë dhe gazetarë.

Kjo foto është realizuar brenda shtëpisë-muze dhe tregon atë që është djepi që lindi letërsinë shqiptare.

Pa Kadarenë, Shqipëria do kishte mbetur një rajon i panjohur nga vitet 1945 deri në vitin 1985, shkruante agjencia e lajmeve gjermane, DPA.

Që nga viti 1994 Kadare ka vënë këtë shtëpi në shërbim të qytetit përmes një letre publike drejtuar kryetarit të atëhershëm të Gjirokastrës, Bashkim Finos.

Shtëpia, e djegur disa vite më parë dhe e riparuar së fundi, u hap si muze në kuadër të “Vitit kulturor të Ismail Kadaresë (2016)”, të shpallur kështu për nder të ditëlindjes së 80-të të shkrimtarit, që ishte më 28 janar.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, përmes rrjetit social Facebook ka thënë se hapja e këtij muzeu është tanimë një arsye më shumë për ta vizituar Gjirokastrën.

“U çelën dyert e shtëpisë së Kadaresë! Pas restaurimit plot shije, një arsye më shumë për të vizituar Gjirokastrën, qytetin që po rilind hap pas hapi pas tatëpjetës së rrënimit rrëqethës të njëzet e kusur viteve pa shtet”, ka shkruar Rama.

Shtëpia pritet të shërbejë për gjallërimin e jetës kulturore të qytetit të Gjirokastrës, për të tërhequr më shumë përkthyes dhe shkrimtarë të njohur ndërkombëtarisht, por edhe të rinj të talentuar në fushën e letrave dhe turistë.

Rikujtojmë se në fillim të këtij viti ky shkrimtar shqiptar u nderua edhe nga shteti francez me urdhrin e lartë “Komandant i Legjionit të Nderit”.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/hapet-per-vizitore-shtepia-muze-e-ismail-kadarese/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala