Hapet çerdhja “Botanika”

Autori:Avdyl Pajaziti

Në kuadër të zotimit “Çerdhe për çdo lagje”, sot zyrtarisht u hap çerdhja me bazë në komunitet, “Botanika”. I pranishëm në hapjen e këtij institucioni parashkollor ishte edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“Në këtë çerdhe komuniteti do të vendos për menaxhimin e saj. Të pranishëm janë edhe përfaqësuesit e këshillit të prindërve, të cilët vetë i kanë intervistuar punëtorët dhe e kanë zgjedhur udhëheqësen e çerdhes. Vetë prindërit do ta mbikëqyrin punën në këtë çerdhe sepse më së miri mbikëqyrjen mund ta bëjë një prind që e ka fëmijën e tij në atë institucion parashkollor”, ka thënë Ahmeti, thuhet në një njoftim të Komunës së Prishtinës.

Më tej shtohet se i pari i Komunës së Prishtinës njoftoi të pranishmit se së shpejti do të hapen edhe dy çerdhe të reja më sistem të njëjtë, në Hajvali dhe në Besi.

Ahmeti ka thënë se sivjet është duke u ndërtuar edhe çerdhja në lagjen “Arbëria 3”dhe në lagjen “Kodra e Trimave”.

Ai, po ashtu ka bërë të ditur se do të ketë kategori të prindërve që do të subvencionohen nga Komuna e Prishtinës për pagesën e çerdhes.

“Ideja është që të kemi sa më shumë vende me kosto të përballueshme. Do të kemi përshkallëzim të pagesave për çerdhe. Çmimi do të jetë i fiksuar, 100 euro për fëmijë, mirëpo me subvencionim nga Komuna. P.sh ata prindër që janë të punësuar dhe i kanë pagat deri në 500 euro (të dy prindërit) do të subvencionohen me 50 euro, ndërsa ata që i kanë pagat më të larta do të subvencionohen më pak. Kjo bëhet me një arsye, pas analizave ka rezultuar se kostoja e shpenzimeve për një fëmijë në çerdhe është 136 euro dhe me këtë mënyrë të përshkallëzimit të pagesave jemi të bindur se do të krijojmë edhe shumë vende të tjera në çerdhet publike të Prishtinës”, citohet të ketë thënë Ahmeti.

Kopshti “Botanika” është qendër edukative-arsimore për përkujdesje ditore të fëmijëve të moshës 0.9 muaj deri në 6 vjeç.

Ky institucion parashkollor, përveç përkujdesjes fizike, lojës dhe argëtimit të fëmijëve, Botanika është e përqendruar në zhvillimin e kreativitetit tek fëmijët; ndërtimin e vetëbesimit, pavarësimin, nxitjen e kureshtjes dhe dëshirës për të mësuar.

Kopshti ka kapacitete për të pranuar 100 fëmijë. Deri më tani janë pranuar përmes konkursit 80 fëmijë, ndërsa së shpejti do të hapet konkursi edhe për 20 vende të lira. /Telegrafi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/hapet-cerdhja-botanika/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala