Haliti: Nuk do të rrihemi të hënën në Kuvend

Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti beson se seanca e së hënës do të mbahet. Haliti tha se deputetët nuk do të rrihen mes vete më 2 nëntor.
“Unë besoj që do të kemi seancë, sepse është thirrur seanca. Ne do ta mbajmë seancën dhe në qoftë se na pamundësohet, normalisht që nuk e kemi ndërmend që si kolegë që jemi të rrihemi mes vete. Po besoj që nuk kemi ardhur në këtë pikë,” tha Haliti.
I pyetur se nëse do të pengohet sërish zhvillimi i seancës parlamentare a do të shfrytëzohet salla e improvizuar, Haliti ka thënë se kanë alternativa të ligjshme.
“Tani unë nuk jam ai që i vendosi këto çështje, kemi alternativa të ligjshme për të vepruar. Unë nuk mund të them as për, as kundër, sepse ky është vendim i Kryesisë,” deklaroi ai.
I dyti i Kuvendit tha se për ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit duhet të mbahet një seancë e veçantë.
“Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje bëhet me 2/3 e votave të deputetëve. Besoj që edhe opozita është dakord që të marrë pjesë në një seancë ku ratifikohet Marrëveshja e MSA-së. Besoj që edhe pozita, në këtë rast organet përkatëse të parlamentit, do të duhet të shqyrtonin mundësinë që të bëhet një seancë e veçantë lidhur me Ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit”, deklaroi ai.
Haliti tha se ai është pro që opozita të futet në seancë dhe të marrë pjesë në ratifikimin e MSA-së.
“Unë jam që ata të futen në sallë, të thonë fjalën e vet edhe kundër edhe pro kësaj marrëveshje dhe ne ta hedhim në votim dhe ta ratifikojmë. Besoj që shumica absolute e deputetëve do ta votojnë këtë”, pohoi Haliti.
Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit mes Kosovës e BE-së u nënshkrua dje në Strasburg. /kallxo.com/