Haliti: Nënshkrimet për Thaçin i mbledhim shpejt

Autori:Avdyl Pajaziti

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh anëtari i Kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti, ka deklaruar se seanca e jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit mund të mbahet këtyre ditëve nëse një kërkesë të tillë e bëjnë deputetët e Kuvendit.

Megjithatë, Haliti në një prononcim për “Zëri.info” ka thënë se nuk është e domosdoshme që kjo seancë të mbahet të dielën apo të hënën.

“Në qoftë se është një kërkesë e nënshkruar nga 40 deputetë, atëherë mund të mbahet mbledhja, seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit. Mirëpo, kushti për kandidaturë është të jenë 30 nënshkrime, por unë nuk e besoj se është e domosdoshme që të dielën të mbahet seancë sepse nuk është ndonjë çështje e ngutshme dhe e jashtëzakonshme, të cilën Kosova e ka që ta kryejë me urgjencë”, ka thënë ai.

Anëtari i Kryesisë së PDK-së ka treguar se rregullat kushtetuese thonë se së paku një muaj para se të përfundojë mandati i presidentes duhet të zgjidhet presidenti. Ndërsa lidhur me atë se a janë mbledhur nënshkrimet për kandidaturën e Hashim Thaçit në krye të Presidencës, Haliti ka thënë se ato bëhen për pak minuta.

“Deri më tani nuk kam ndonjë ftesë për mbledhje të Kryesisë, e cila do ta caktonte kohën kur mbahet një seancë e tillë. Përderisa nuk kam një ftesë për mbledhje d.m.th. nuk e besoj se është e mundshme që të dielën dhe të hënën të ketë seancë, pasi që pa kaluar nëpër procedura të Kuvendit nuk ka mundësi që të ketë seancë. Nuk është problem të mblidhen nënshkrimet, ato mblidhen për 10 minuta dhe është problem i vogël për ne dhe pa ndonjë problem”, është shprehur ai.

Më tej Haliti i ka hedhur poshtë zërat se pas zgjedhjes së Thaçit si president i Republikës, PDK-ja do ta prishë koalicionin me LDK-në e Isa Mustafës.

“Nuk e besoj se ka diçka të planifikuar. Koalicioni deri më tani ka funksionuar mesatarisht mirë kur e kemi parasysh se kur ka filluar dhe si ka filluar. Tani koalicioni për t’u prishur duhet të jetë një arsye e madhe. Spekulimet e thashethemet që po qarkullojnë nuk u besoj sepse nuk jemi në ndonjë situatë e cila do të bëjë që të prishet koalicioni”, ka thënë ai.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/haliti-nenshkrimet-per-thacin-i-mbledhim-shpejt/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala