Haliti: E panevojshme thirrja e liderëve nga presidentja

Autori:Avdyl Pajaziti

Iniciativa e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, për takime me liderët politikë për të biseduar rreth daljes nga gjendja politike e krijuar në vend, po shihet e panevojshme nga nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti. Madje ai thotë se kjo çështje nuk është as përgjegjësi e të parës së shtetit.

Numri dy i Kuvendit në një intervistë për KosovaPress vlerëson se ulja në një tryezë e liderëve politikë dhe marrja e vendimeve aty, është rrezik për institucionet e vendit.

Derisa kërkesat e Opozitës, Haliti i sheh si të realizueshme, por kjo mund të bëhet vetëm në Kuvendin e Kosovës.

Xhavit Haliti pavarësisht se e quan të panevojshme thirrjen e presidentes në takime me liderët politikë për zgjidhjen e situatës aktuale, për të ky veprim është pozitiv – nëse do të ketë sukses mund të ndikoj pozitivisht në uljen e tensioneve dhe të mos ketë kërcënime, as gaz lotsjellës e as vezë në Kuvend.

“Presidentja nuk ka pasur nevojë fare ta thërras askënd – nuk është përgjegjësi e saj kjo çështje. Kosova nuk është në krizë politike dhe koalicioni qeverisës ka dy të tretat e votave të garantuara në Kuvend. Sidoqoftë unë personalisht e mbështes dëshirën e presidentes dhe angazhimin e saj që të bëjë diçka dhe aq sa mundet, aq sa ka fuqi dhe aq sa mund t’i bind liderët e tri partive politike të cilët në një mënyrë ose tjetrën janë kundërvënë Qeverisë për çështjet që dihen”, tha Haliti.

Haliti e quan vullnet të presidentes për t’i thirrur liderët në takime, por jo që Kushtetua ia jep këtë përgjegjësi.

Sipas tij, presidentja është personifikim i unitetit të popullit të Kosovës, dhe kjo nuk ka të bëjë diçka me Kushtetutën.

E para e vendit ka paralajmëruar se pas takimeve që do të zhvilloj me liderët e partive politike në pozitë dhe atyre në opozitë, do të tentoj që organizoj edhe një takim të përbashkët në një tryezë me liderët e pesë partive parlamentare.

Mirëpo, këtë parashikim deputeti Haliti e sheh të rrezikshëm, sepse me këtë po shfuqizohen institucionet e vendit.

“Tryeza e partive për të marrë vendime është e rrezikshme për institucionet e Kosovës, sepse ku po mbetet Qeveria, Presidenca, Parlamenti. Do të thotë t’i po i shfuqizon institucionet e vendit dhe po i merr pesë, ose tetë ose dhjetë liderë. Nuk jam kundër tryezave, ajo mund të mbahet. Por problemi tani lind kush do të jetë në krye të kësaj tryeze dhe cila është marrëveshja. Unë e di tash edhe në Kosovë ka zëra shumë për këtë tryezë por varet se kush po e thërret, varët kush ka marrëveshje prapa kuluareve lidhur me marrëveshjet e mundshme dhe kush është krejtësisht i pasherr dhe shkon në tavolinë me vullnet dhe dëshirë të mirë”, u shpreh Haliti.

Nënkryetari i Kuvendit mendon se nëse thirret një tryezë e tillë, atëherë duhet ditur se nuk janë vetëm pesë parti, pasi nuk duhet lënë anash as serbët, as boshnjakët, as partitë e tjera më të vogla.

Haliti me tutje në këtë intervistë flet edhe për kërkesat e opozitës, të cilët ai i quan të realizueshme, por për t’u bërë kjo duhet të zhbllokohet Kuvendi sepse aty është vendi për këtë.

Haliti thotë se në një Parlament të vendeve të Bashkimit Evropian, një deputet po fuste gazin lotsjellës në Kuvend, atëherë jo që do të përjashtohej, por nuk do të mund të kandidonte më asnjëherë për deputet në Parlament.

Megjithatë këtë javë është paraparë që të mbahet edhe një seancë plenare, por nënkryetari Haliti nuk e dinë nëse opozita do të bllokoj sërish mbajtjen e saj.

Derisa, kërcënimin e opozitës se mund të dalin në rrugë, sipas Halitit ata edhe mund të dalin, por nuk kanë edhe aq shumë njerëz që do të dilnin për këto çështje, pavarësisht peticionit që ka në arritur t’i marrin rreth 200 mijë nënshkrime.

Haliti fton opozitën që të shkojnë në Kuvend të mos e pengojnë mbajtjen e seancës dhe nëse ka vullnet nga të gjithë, atëherë mund ta shfuqizojnë edhe rezolutën e miratuar nga Kuvendi që e autorizon Qeverinë të bisedoj me Serbinë.

Madje, sipas Halitit, aq sa ai ka vërejtur disponimin e deputetëve, marrëveshja për demarkacionin nuk mund të kalojë.

Por thotë se nuk mund të akuzohet dikush për tradhti nëse nuk ke vend për ta argumentuar, e që sipas tij, Kuvendi është vendi i vetëm ku mund të bëhet kjo. /Telegrafi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/haliti-e-panevojshme-thirrja-e-lidereve-nga-presidentja/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala