Haliti: “Dedës dhe Gashit tu hiqen mëditjet”

Autori:Avdyl Pajaziti

Mbledhja e sotme e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane dështoi për mungesë të kuorumit pasi që jo vetëm anëtarët nga partitë opozitare, por edhe përfaqësues të koalicionit qeveritar nuk ishin të pranishëm në të.

Në hapje, nga opozita ishte i pranishëm vetëm deputeti Ilir Deda, i cili pasi dha disa vërejtje për rendin e ditës, në shenjë pakënaqësie e lëshoi mbledhjen, ndërsa paraprakisht, pa dhënë ndonjë arsye mbledhjen e kishte lëshuar edhe deputeti nga LDK, Arben Gashi.

Dalja e Gashit nga mbledhja krijoi një polemikë ndërmjet kryetarit të komisionit, Xhavit Haliti dhe deputetes së LDK-së, Vjosa Osmani.

Haliti kërkoi nga Osmani që të dalë ta thërrasë Gashin për të qenë i pranishëm, por kjo e fundit refuzoi ta përfillë këtë kërkesë të tij, duke u arsyetuar se nuk është pjesë e administratës së Kuvendit.

Në pamundësi për ta kthyer Arben Gashin e Ilir Dedën brenda në mbledhje, Xhavit Haliti kërkoi që atyre t’u hiqet mëditja e pjesëmarrjes në komision.

Para se të mbyllet mbledhja, anëtarët e pranishëm vendosën që në mbledhjen e ardhshme që u caktua të martën, të vijë të raportojë shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, rreth Marrëveshjes për Stabilizim- Asocim ndërmjet Kosovës dhe BE-së e cila u nënshkrua dje në Strazburg.

Në këtë mbledhje, komisioni në rend dite ka pasur shqyrtimin e Projektligjit për rregullimin e shërbimeve të ujit, me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së; shqyrtimin e Projektligjit për Provimin e Maturës Shtetërore, me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së; dhe shqyrtimin e Projektligjit për Sigurimet, me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së. /kallxo.com/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/haliti-dedes-dhe-gashit-tu-hiqen-meditjet/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala