Halimi: Dardan Sejdiu është nxitës i konflikteve

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryesuesi i Kuvendit Komunal në Komunën e Prishtinës, Halim Halimi, ka reaguar ndaj deklaratave të nënkryetarit të Prishtinës, Dardan Sejdiu.

Halimi ka thënë se është Sejdiu ai që nxit probleme dhe shkaktar i acarimeve konfliktuoze.

Ky është reagimi i plotë i Halim Halimit:

Reagim ndaj deklaratës së Dardan Sejdiut, nënkryetar i Komunës, dhënë në mediat publike, më 11.04.2015
Dardan Sejdiu, nënkryetar i Komunës së Prishtinës deklaroi se fajtor për incidentin ku Liburn Aliu, drejtor i Urbanizmit, e sulmoi Muhamet Selmanin, asambleist nga PDK në Kuvendin e Prishtinës, në restorant Liburnia, derisa ky i fundit po drekonte, është kryesuesi i Kuvendit Halim Halimi.

Arsyetimi se na qenka fajtor kryesuesi, sipas Sejdiut, është se ai nuk paska marrë masa gjatë seancës kur është zhvilluar debati lidhur me pikën sipas rendit të ditës. Gjithnjë sipas Sejdiut, qenkan asambleistët ata që po e acaruakan gjithnjë situatën gjatë mbledhjeve të Kuvendit të Prishtinës ndaj të cilëve duhet të marrë masa kryesuesi.

Me plot përgjegjësi po i drejtohem opininionit të gjerë publik dhe të gjithë qytetarëve të Prishtinës se kohëve të fundit, sikur edhe vetë kryetari i komunës, nxitësi më i madh dhe shkaktari i acarimit të sitautave konfliktuoze në Kuvend është vetë nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu. Është nënkryetari i Komunës ai që e kërkon dhe e merr fjalën në Kuvend, mesatarisht mbi 10 herë për çdo mbledhje dhe me paraqitjet e tij bëhet aktori kryesor i cënimit të demokracisë, të dinjitetit njerëzor dhe të integritetit politik të asambleistit.

Nëse është dashur të merren masa ndaj dikujt dhe nëse është dashur t’i merret fjala dikujt gjatë mbledhjeve të Kuvendit është dashur t’i merret nënkryetarit Dardan Sejdiut, i cili shpeshherë nuk dihet të jetë pjesë e ekzekutivit a e Kuvendit. Po ashtu, duke qenë përkrahës i drejtpërdrejtë i asambleistëve të VV, me veprime militantisht të ngjashme me VV, atij për çdo mbledhje është dashur t’i merret fjala.

Në dy mbledhje që i di edhe publiku i gjerë, kryetari bashkë me nënkryetarin e Komunës, ishin bërë pjesë e cënimit të mbarëvajtjes së mbledhjeve me filikaqa dhe me futjen me qëllim, të aktivistëve militantë të VV në sallën e Kuvendit të Prishtinës. Ky është Dardan Sejdiu që me sjelljet e tij dhe me vartësit e tij, debatet e Kuvendit i bart në restorane bashkë me ushtrimin e dhunës fizike.

E thërrasim kryetarin Shpend Ahmeti që të reflektojë lidhur me situatën që është krijuar në ekzekutivin e tij dhe në Kuvend si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj Muhamet Selmanit , asambleist nga radhët e PDK-së

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/halimi-dardan-sejdiu-eshte-nxites-i-konflikteve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala