Hahn: Liberalizimi s’ka asnjë lidhje me migrimin ilegal

Autori:Avdyl Pajaziti

Gjatë takimit me presidenten Atifete Jahjaga të zhvilluar të mërkurën në Prishtinë, komisioneri i Bashkimit Evropian për politikat e fqinjësisë dhe negocim të zgjerimit, Johannes Hahn tha Prishtinë se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nuk ka asnjë lidhje me migrimin ilegal. “Procesi i vlerësimeve të përmbushjes së kritereve për liberalizim do të vazhdojë”, tha Han.

Ai me presidenten Jahjaga bisedoi për perspektivën evropiane të Kosovës, përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave dhe të MSA-së për Kosovën, migrimin ilegal të qytetarëve të vendit, si dhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Republikën e Serbisë, përmes dialogut që po zhvillohet në Bruksel.

Presidentja Jahjaga theksoi se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për përmbushjen e reformave në agjendën evropiane dhe të përshpejtimit të procesit të integrimit, por tha se Kosova ka nevojë për një përkrahje më të madhe nga BE-ja, posaçërisht në përmbylljen e procesit të MSA-së dhe të liberalizimit të vizave për qytetarët e vendit.

Ajo tha se Kosova duhet të trajtohet nga BE-ja në mënyrë të ngjashme sikurse edhe të gjitha shtetet e tjera, në kuadër të perspektivës evropiane për rajonin.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/hahn-liberalizimi-ska-asnje-lidhje-me-migrimin-ilegal/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala