Hahn do t’i drejtohet Kuvendit të Kosovës i papenguar nga Opozita

Autori:Avdyl Pajaziti

Opozita nuk do ta bllokojë as seancën e radhës, ndërsa ende s’ka vendim për ndonjë aksion simbolik!

Këtë të premte Kuvendit të Kosovës do t’i drejtohet Komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë në Bashkimin Evropian, Johannes Hahn.

Edhe në këtë seancë, njësoj siç ndodhi edhe javën që shkoi kur Presidenti i Austrisë, Heinz Fischer iu drejtua deputetëve, opozita nuk do ta pengojë punën e Kuvendit dhe do të marr pjesë kur Hahn do të flasë para deputetëve.

“Do ta lejojmë mbajtjen e seancës dhe do të marrim pjesë,” tha për KALLXO.com, zëdhënësi i “Vetëvendosjes” Frashër Krasniqi.

Ndërsa sa i përket ndonjë aksioni të mundshëm simbolik, Krasniqi u shpreh se “ende nuk kemi marrë vendim për këtë punë”.

Në seancën e së enjtes që shkoi opozita priti Presidentin austriakun me dy mbishkrime në gjuhën angleze. “Mjaft me qetësimin e hegjemonisë serbe” dhe “Ruaje shpinën z. President. Gënjeshtarë dhe të korruptuar janë të ulur prapa jush!”

Opozita nuk pengoi as seancën e ratifikimit të MSA-së të hënën, kur pasi krerët e grupeve parlamentare të VV-së, AAK-së e Nismës thanë fjalët e tyre, deputetët opozitarë lëshuan sallën e mbledhjeve të Kuvendit.

Të premten kur Hahn do t’i drejtohet Kuvendit të Kosovës, do të jetë seanca e tretë radhazi që nuk pengohet nga opozita.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/hahn-do-ti-drejtohet-kuvendit-te-kosoves-i-papenguar-nga-opozita/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala