Hahn: Bllokimi i Kuvendit mund të pengojë Kosovën drejt BE-së

Autori:Avdyl Pajaziti

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatave për Zgjerim, Johannes Hahn, tha se beson që Qeveria e Kosovës do të ketë kurajën të vazhdojë dialogun me Serbinë, ndërsa potencoi se bllokimi i Kuvendit të Kosovës mund të ketë ndikime në relacion me BE-në, pasi janë ligjet që duhet të kalojnë në Kuvend.

Ai e bëri të qartë se pengesat dhe dhuna nuk kanë vend në një shoqëri demokratike.

“Pengesat dhe dhuna nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe institucionet e Kosovës duhet të lejohen të funksionojnë në mënyrë demokratike…. Bllokimi i Kuvendit mund të ketë ndikime edhe në relacion me Bashkimin Evropian, pasi që janë disa ligje që duhet të kalojnë në Kuvend”, tha ai.

Komisioneri Hahn falënderoi Qeverinë e Kosovës për qëndrimin konstruktiv në dialogun me Serbinë, të udhëhequra nga BE-ja, raporton Telegrafi.

Ai tha se Qeveria e Kosovës ka dëshmuar se mund të marrë vendime jo të lehta.

Komisioneri potencoi se edhe me MSA-në, vazhdimi i dialogut është obligim dhe shprehu besimin se Qeveria e Kosovës ka kurajën politike të vazhdojë më tutje.

Ai tha se BE-ja do të vazhdojë të përkrahë Kosovën në reformat e saj. /Telegrafi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/hahn-bllokimi-i-kuvendit-mund-te-pengoje-kosoven-drejt-be-se/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala