Haga, kryeqyteti i paqes dhe i drejtësisë

Legjitimimi i Pavarësisë së Kosovës përbën një nga rastet më të rëndësishme në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND). Megjithëse GJND-ja dha vetëm opinion për legalitetin e Pavarësisë, vendimi i korrikut të vitit 2010 ka hyrë në historinë e Pallatit të Paqes. Sa herë bëhet ndonjë vizitë në këtë vend përmendet edhe rasti i Kosovës.
“Ka qenë interesante të shihen mendimet pro dhe kundër nga shumë shtete, sa i përket ligjshmërisë së Pavarësisë së Kosovës”, thotë Steven van Hoogstraten, drejtor i fondacionit “Carnegie” në Pallatin e Paqes. “Më pas gjykata u ndal në argumentet e disa shteteve lidhur me të drejtën e vetëvendosjes dhe vlerësimin nëse ekziston ose jo e drejta për shkëputje përfundimtare si opsion i fundit”, shkruan sot “Koha Ditore”.
Bazuar në nenin 96 të Kartës së OKB-së dhe nenin 65 të Statutit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, kësaj të fundit i kërkohej të jepte mendim këshillues lidhur me pyetjen: ”A është Deklarata e njëanshme e Pavarësisë, e deklaruar nga institucionet vetëqeverisëse të Kosovës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare?”.
“Pas dëgjimit të argumenteve nga Kosova e Serbia, si dhe shtetet e tjera pro dhe kundër pavarësisë, gjykata arrin në përfundimin se në normat e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare nuk konstatohet asnjë ndalim konkret për deklarimin e pavarësisë. Prandaj ”Deklarata e Pavarësisë nuk cenon të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare”.
Mendimi këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës ishte i një rëndësie të veçantë. Ai mbylli përfundimisht çështjen e legjitimitetit të Deklaratës së Pavarësisë në këndvështrim të së drejtës ndërkombëtare, duke i hapur rrugë njohjes së Kosovës nga vendet e tjera..