Guantanamo në fazën e fundit të mbylljes

Autori:Avdyl Pajaziti

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, ka deklaruar se autoritetet amerikane janë në “fazat përfundimtare” të zhvillimit të planit për të mbyllur burgun ushtarak të Guantanamos.

“Kjo është diçka që zyrtarët e sigurisë kombëtare janë duke punuar për një kohë të gjatë, para së gjithash për shkak se kjo është një nga prioritetet e Presidentit të SHBA-ve”, tha Earnest.

Gazeta amerikane “New York Times” më herët njoftoi se plani i administratës Obama për të mbyllur burgun e diskutueshëm të Guantanamos është para “kolapsit”.

Obama paralajmëroi mbylljen e burgut në gjirin kubanez menjëherë pas mbërritjes në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2009, por ai hasi në rezistencë të fortë nga Kongresi, ku republikanët kanë shumicën, të cilët nuk pajtohen me këtë veprim.

Earnes tha se Amerika për mirëmbajtjen e burgut Guantanamo, shpenzon më shumë se 100 milion dollarë, ndërsa aktualisht në këtë burg ndodhen 116 të burgosur.

Ai argumenton se me siguri ka mënyra më të mira për mbrojtjen e interesave dhe të sigurisë kombëtare. Sipas deklaratave të Earnest, Obama do të vërë veto mbi vendimin e Kongresit, në rast se kjo shkon në drejtim të parandalimit të mbylljes së burgut dhe miratimin e financimit për vazhdimin e mirëmbajtjeve të njësive të burgut.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/guantanamo-ne-fazen-e-fundit-te-mbylljes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala