Gruri për kafshë i Serbisë alarmon edhe Shqipërinë

Dyshimi për cilësinë e grurit dhe të miellit të importuar ka shqetësuar shumë të gjithë konsumatorët, sepse buka është një ndër ushqimet kryesore të dietës së tyre.
U përfol se gruri i importuar nga Serbia, i cili ishte për kafshët, në Shqipëri bëhej bukë.
AKU-ja garanton se gruri dhe mielli që importohet është i shoqëruar me të gjitha fletët e analizave dhe është brenda të gjitha parametrave të vendosura nga udhëzimi i ministrit të Bujqësisë.
Mirëpo kryetari i Unionit të Tregtarëve Agro- Ushqimor thotë se, në Shqipëri importohet një sasi shumë e madhe mielli me nivel të ulët proteine, i cili është i përshtatshëm vetëm për industrinë e biskotave.
Sipas tij, fakti që importohet shumë më shumë se sa është nevoja e tregut, të bën të mendosh se ky miell përdoret për bukë. Ai thotë se kjo dëmton konkurrencën dhe shëndetin e konsumatorit.