“Grupi i Kumanovës”: Qëllimi ynë, lufta për të drejtat e shqiptarëve

Autori:Avdyl Pajaziti

Grupi i armatosur që mori pjesë në luftimet e 9 majit në Kumanovë dhe që iu dorëzua policisë maqedonase, ka deklaruar para organeve hetuese se “kanë ardhur në Maqedoni për të luftuar për më shumë të drejta për shqiptarët dhe se janë të pakënaqur nga veprimet e liderëve shqiptarë”, mëson Zhurnal.

Gjithashtu “Zhurnal” mëson jozyrtarisht se 90 për qind e të arrestuarve kanë dhënë deklaratë identike në polici dhe prokurori, se qëllimi i tyre ka qenë lufta për më shumë të drejta për shqiptarët e Maqedonisë.

Gjithashtu merret vesh se pjesa dërmuese e të arrestuarve kanë pasur qëllim të sinqertë kur flitet për vendosmërinë e tyre për të luftuar mirëpo ata nuk kanë qenë të vetëdijshëm se janë pjesë e skenarëve maqedonase që do të thotë se kanë qenë të manipuluar nga “koka” e grupit.

Zhurnal mëson se të arrestuarit para organeve të hetuesisë edhe pse kanë qenë nën trysni të dhunës dhe brutalitetit policor kanë pohuar se kanë ardhur në lagjen e Trimave në Kumanovë për të luftuar kundër padrejtësive që iu bëhen shqiptarëve nga regjimi maqedonas.

Madje në deklaratat zyrtare thuhet se janë të pakënaqur nga arritjet e deritanishme të partive shqiptare në Maqedoni. Pritet që në procesin gjyqësor ndaj tyre që do të fillojë së shpejti në gjykatën penale të dalin dëshmi tjera zyrtare për motivet se përse ata u përleshën me policinë e Maqedonisë.

Ndryshe, deri më tani ende janë të paqarta motivet e vërteta të këtij grupi i cili gjendet në paraburgim dhe së shpejti duhet të fillojë procesi gjyqësor ku duhet të shpalosen provat dhe dëshmitë para prokurorit dhe gjykatësit

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/grupi-i-kumanoves-qellimi-yne-lufta-per-te-drejtat-e-shqiptareve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala