Gruevski e dinte se do të ketë “luftë” në Kumanovë me 9 maj

Autori:Zekirja Shabani

Qeveria e Maqedonisë po del të ketë qenë mirë e informuar se më 9 maj në Kumanovë do të ketë luftime. Madje kreu i Qeverisë Nikola Gruevski, po akuzohet për tërë skenarin e konfliktit të armatosur që ndodhi të shtunën dhe të dielën në Lagjen e Trimave.

Përfaqësues të partive opozitare gjatë gjithë kohës kanë dhënë deklarata të shumta se gjithçka  ishte planifikuar shumë më parë.

Me ketë datë, partia e kryeministrit aktual të Maqedonisë VMRO-DPMNE do të mbante kongresin e përgjithshëm pikërisht në Kumanovë. Për këtë datë ishte vendosur qysh më herët në muajin prill nga kryesia e VMRO-DPMNE-së, por mbajtja e tij u zhvendos për datat 2 dhe 3 maj.

Ndryshimi i kohës së mbajtjes, sipas raportimeve të medieve në Maqedoni, u bë për shkak të protestave të opozitës në këtë vend dhe paralajmërimeve të liderit të opozitës Zoran Zaev për publikimin e përgjimeve të reja.

Megjithatë, tani pas përfundimit të luftimeve në Kumanovë janë ngritur dyshime të mëdha nëse vërtetë në Kumanovë u përplasën policia e maqedonase me grupe të armatosura shqiptare.

Madje janë publikuar fotografi dhe video që pretendojnë se gjithqka është montuar edhe në rastet e arestimeve.

Për më shumë se 30 orë luftime dhe pohimet për 20 viktima ende nuk ka të dhëna të sakta për shkak të situatës së pa qartë, ashtu sikur aksioni policorë që është shoqëruar me shumë paqartësi.

Muaj më parë, për një konflit të mundshëm ndëretnik kishte paralajmëruar gjenerali Stojance Angelov, pjesëmarrës në konfliktin e vitit 2001 dhe sot drejtues i partisë maqedonase DOSTINSTVO (dinjiteti)

Sulmi në policinë maqedonase në fshatin Goshincë të Kumanovës në muajin Prill, sipas tij ka qenë i inskenuar në mënyrë që ta tërheqë vëmendjen nga afera e përgjimeve ku në qendër është kryeministri Nikolla Gruevski,

Madje ai pati thënë se për këtë Gruevski ka shpenzuar 2 milionë euro.

“Dikush ne shtetin tonë ka bërë plan monstruoz për nxitje të një konflikti ndëretnik në Maqedoni.

E dini të gjithë që para një muaji kishte një komunikatë të AKSH me të cilën po kërcënonin. Kam informata se janë dhënë 2 milionë euro shqipëtarëve të cilët nuk kanë lidhje me UÇK-në, kriminelëve të cilët sot gjenden në rajonin e Likovës. Detyra e tyre është që  të paraqiten se gjoja janë UÇK dhe të bëjnë vrasjen e disa përfaqësuesve të policisë dhe ushtrisë dhe në këtë mënyrë të nxisin konflikt ndëretnik”, pati deklaaruar Angelov.

Krejt kjo ishte menduar se përleshja e armatosur në qytetin e Kumanovës me viktima civilë shqiptarë dhe policë maqedonas rindez konfliktet ndëretnike në Maqedoni./Gazeta Fjala/

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/gruevski-e-dinte-se-do-te-kete-lufte-ne-kumanove-me-9-maj/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala