Greva vazhdon dhe nesër

Edhe përkundër deklarimeve të Qeverisë se pagat e mësimdhënësve këtë muaj do të dalin me rritje, SBASHK’u do të vazhdojë me grevë deri në mbledhjen e Këshillit Drejtues.
Këtë të diel Këshilli Drejtues do të mbajë mbledhjen e radhës për të diskutuar mbi hapat e më mëtutjeshëm të grevës në të gjithë nivelin arsimor të Kosovës.
Kryetari i SBASHK, Rrahman Jasharaj, ka thënë për Gazetën Express se deri të dielën do të shikohen të gjitha lëshimet e bëra nga Qeveria në llogaritjen e përvojës së punës të mbi 90 për qind të punësuarve, ku iu mungojnë 7 vite të përvojës së punës dhe më pas do të mbahet mbledhja e Këshillit Drejtues.
“Ne i kemi angazhuar personat në nivel lokal që të shikojnë se çfarë lëshimesh janë bërë në lidhje me kalkulimin e 0.5%”, tha Jasharaj për Gazetën Express.
Po ashtu SBASHK ka reaguar për deklaratat e Ministrit Hoti dhe nuk kanë kërkuar takim me këtë Ministri pa u mbajtur mbledhja e Këshillit. Kurse sa i përket Universitetit Publik shumë nga fakultetet nuk iu janë bashkangjitur grevës.
Sipas Jasharajt, profesorët në Universitet e kanë rrogën e madhe nuk për ta nuk është problem llogaritja e përvojës së punës.
“Profesorët në Universitet e kanë rrogën shumë të madhe andaj për ta nuk është problem nëse zbatohet marrëveshja. Problem në Universitet është administrata, ku rrogat e tyre janë për mjerim”, shtoi Jasharaj.