Greva bllokon prodhimin e energjisë

Punëtorët e hidrocentralit të Ujmanit as të martën nuk e kanë ndërprerë grevën e filluar me 5 shkurt. Atyre nuk u janë plotësuar kërkesat dhe për pasojë ky hidrocentral nuk po prodhon energji elektrike.
Përfaqësuesi i punëtorëve grevistë, Damljan Tomoviç, ka treguar se si pasojë e grevës së punëtorëve, nuk po prodhohet energjia elektrike në hidrocentral.
Ai thotë se Bordi i Ibër Lepencit po i injoron dhe nuk po ua përmbushë kushtet elementare për punë.
“Ne as uniforma nuk kemi, ndërsa anëtarët e Bordit e as Kryeshefi asnjëherë nuk kanë qenë këtu e as që dinë ku i bie Ujmani. Ne fillimisht jemi diskriminuar, ku 22 punëtorë i kemi nënshkruar kontratat e Kosovës që na i ka ofruar drejtori teknik, Arbnor Prekazi, ku më pas shteti serb na ka paditur në gjykata për këtë, ndërsa punëtorët tjerë që nuk i kanë nënshkruar kontratat kanë vazhduar të punojnë dhe t’i marrin rrogat sikurse ne”, thotë Tomoviç.
Ai dhe grevistët e tjerë këmbëngulin në shkarkimin anëtarëve të mbetur në Bordin e Ibër Lepencit, Faton Gjyshinca e Bajram Mustafa, Kryeshefit Ekzekutiv Demë Abazi dhe drejtorit teknik të Ujmanit, Predrag Bozhoviçit.
Ai thotë se janë pikërisht këta persona, që menaxhmentin e Ibër Lepencit e kanë penguar t’i përmbushë kërkesat elementare të tyre.
Grevistët kanë paralajmëruar radikalizmin e veprimeve të tyre, nëse Qeveria vazhdon të mos i përmbush kërkesat e tyre, të cilat i kanë dërguar në Zyrën e Kryeministrit Isa Mustafa dhe tek ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.
Mësohet që nëse vazhdon kjo situatë mund të vije edhe deri të ndërprerja e ujit i cili furnizon KEK-un, që do të kishte për pasojë pamundësinë e e KEK-ut për të prodhuar rrymë dhe rrjedhimisht edhe lënien e Kosovës në terr.
Ushtruesi i detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv të “Ibër Lepencit”, Demë Abazi në një prononcim për Veriu.info thënë se ndërprerja e prodhimit të rrymës është për shkak të mungesës së tensionit për kyçjen e sistemit në largpërçues, e jo npër shkak të grevës.