Greqia sytë nga Rusia dhe Kina

Autori:Avdyl Pajaziti

Zyrtarët grekë po përpiqen të kalojnë të gjitha pengesat në përpjekje për të siguruar 15 miliardë euro hua për të mënjanuar falimentimin e vendit, madje deri në Kinë dhe Rusi, njoftuan sot mediat greke.

Gazeta e përjavshme “Karfi” citoi zyrtarë qeveritarë të kenë thënë se vendi po shpreson në faktin që Kina do t’i sigurojë vendit ballkanik një hua prej 10 miliardë eurosh si parapagesë për përdorimin e portit të Pireut si edhe për më pas në investime në sistemin hekurudhor të vendit.

Vendi po pret edhe një hua shtesë prej tre ose pesë miliardë euro nga Rusia, sipas të përjavshmes “Agora”.

Kjo do të shërbejë si parapagesë, me shumë gjasa, për gazsjellësin “Turkish Stream”.

Ky gazsjellës do të çojë gazin rus në kufirin greko-turk.

Kryeministri grek, Aleksis Cipras foli me presidentin rus, Vladimir Putin, në fillim të muajit, për zgjatjen e këtij gazsjellësi në brendësi të territorit grek, që më pas ai të shkojë në Evropën Qendrore.

Në ndërkohë, gazeta gjermane “Spiegel” online tha se kjo marrëveshje mund të firmoset të martën e ardhshme.

Një zyrtar i lartë grek tha se firmosja e marrëveshjes mund të ndryshojë Greqinë.

Megjithatë kjo marrëveshje mbetet me pikëpyetje për faktin nëse do ta miratojë BE-ja dhe për faktin se a mund të gjenerojë të ardhura në ndërkohë që nuk është firmosur ende.

Greqia po përpiqet dëshpërimisht me një listë të besueshme reformash dhe propozimesh për shkurtime shpenzimesh para kreditorëve të saj – BE, FMN, BQE – në shkëmbim të një kësti prej 7,2 miliardë euro.

E ardhmja e ekonomisë greke mund të jetë fokusi i bisedimeve të ministrave të Financave, të cilët takohen sot në sesionin pranveror të FMN-së në Uashington.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/greqia-syte-nga-rusia-dhe-kina/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala