Greqia nuk do të dalë nga eurozona

Autori:Zekirja Shabani

Pavarësisht se si do të përfundojnë zgjedhjet parlamentare të dielën në Greqi, BE-ja ngul këmbë që grekët duhet të vazhdojnë të paguajnë me euro. Dhe nëse fiton partia radikale e majtë Syriza, e cila përcakton pastaj dhe kreun e ri të qeverisë, ky gjithashtu duhet të respektojë detyrimet kontraktuale të Greqisë, thuhet në Bruksel.  Një dalje të Greqisë nga eurozona shefi i Komisionit të BE-së Jean-Claude Juncker e përjashton.

“Kjo çështje nuk shtrohet fare. Greqia nuk do të dalë nga eurozona dhe nuk do të inkurajohet për të braktisur euron”, tha Juncker gjatë një vizite së fundi në Paris.

Meqë edhe partia Syriza dëshiron që Greqia të mbetet në eurozonë ka edhe disa pika të ngjashme në qëndrime. Kërkesa e politikanëve të Syrizës, si deputeti George Katrougalos, për t’i falur Greqisë disa prej borxheve të saj dhe për të organizuar një konferencë ndërkombëtare për neutralizimin e kërkesave reciproke, ka ndeshur në skepticizëm të madh tek shumë politikanë dhe ekonomistë.

“Falja e borxheve është gjithmonë e bukur kur je debitor, se prej saj Greqia do të përfitojë. Por në qoftë se Greqia do ta bëjë këtë në mënyrë të njëanshme, atëherë vendi do të humbasë aksesin në financimet ndërkombëtare dhe kjo do të jetë përsëri negative për vendin”, paralajmëron Guntram Wolff ekonomist pranë think-tankut “Bruegel” në Bruksel.

Kryeministri finlandez Alexander Stubb e hedh me forcë faljen e borxheve për Greqinë. Edhe ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble, thotë që falja e borxheve nuk shtrohet për diskutim dhe tha për revistën “Der Spiegel”

“Politikanët grekë nuk duhet të premtojnë para zgjedhjeve, më tepër se sa mund të mbajnë”.

Kreditorët privatë i kanë falur Greqisë në mars rreth 100 miliardë euro borxh. Borxhi i mbetur prej 320 miliardë eurosh u përket sot kryesisht kreditorëve publikë dhe shteteve.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/greqia-nuk-do-te-dale-nga-eurozona/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala