Greqia me propozim të ri në Bruksel

Autori:Avdyl Pajaziti

Zyrtarët grekë do të përpiqen sot të bindin ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian se Athina do të jetë e gatshme të ndërmarrë reformat e nevojshme, në mënyrë që kreditorët të zhbllokojnë 8.2 miliardë dollarë fonde shpëtimi për vendin.

Në një takim emergjence në Bruksel, qeveria greke pritet të paraqesë një propozim të ri.

Greqisë i duhen fonde për t’i paguar Fondit Monetar Ndërkombëtar 1.8 miliardë dollarë deri më 30 qershor.

Shumë njerëz në rrugët e Athinës druhen se qeveria do të propozojë masa shtrënguese në favor të kreditorëve ndërkombëtarë, përfshirë një zvogëlim të pensioneve.

Samiti do të mbahet pas takimeve që u mbyllën pa rezultat të enjten në lidhje me kushtet për fondin e shpëtimit prej 17.5 miliardë dollarësh.

Një ministër shteti i Greqisë tha dje se qeveria greke do të paraqesë një propozim të ri në takimin e emergjencës:

“Nuk po shkojmë në Bruksel me propozimin e vjetër. Po bëjmë modifikime, për të parë se ku mund të përshtatemi për të arritur një marrëveshje në të mirë të të dyja palëve.”

Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje dje Greqisë të zhytur në borxhe të “marrë disa vendime të vështira” drejt një marrëveshjeje të shpejtë me kreditorët ndërkombëtarë për të parandaluar copëzimin e Eurozonës prej 19 vendesh.

Sekretari amerikan i Thesarit Jack Lew, duke folur për kanalin CNN, tha se Athina duhet të veprojë tani ose të rrezikojë shkatërrimin e ekonomisë së vendit dhe rrënimin e shoqërisë greke.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/greqia-me-propozim-te-ri-ne-bruksel/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala