Greqia kryen zhvendosjen e parë të azilkërkuesve

Autori:Gazeta Fjala

Greqia ka kryer zhvendosjen e parë të azilkërkuesve nga territori i saj drejt Luksemburgut, si pjesë e një plani të miratuar nga BE-ja dhe të financuar me 780 milionë euro për dy vjet, për të lehtësuar barrën e shteteve të përmbytura nga fluksi i qindra e mijëra refugjatëve përgjatë këtij viti, të cilët kanë mbërritur nga zonat e nxehta të Lindjes së Mesme.

Duke përcjellë bashkë me ministrin e Jashtëm të Luksemburgut, Jean Aselborn, dhe komisionerin europian për Emigracionin Dhimitris Avramopoulos, gjashtë familje nga Siria dhe Iraku në aeroportin e Athinës, Tsipras ka theksuar se ky transferim është vetëm një pikë uji në oqean, por që shpresohet të bëhet një lumë humanizmi dhe përgjegjësie të përbashkët, sipas parimeve mbi të cilat është ndërtuar BE-ja.

Gjithsej 86 persona janë transferuar deri tani direkt drejt Italisë, Suedisë dhe Finlandës në bazë të skemës. Në shtator, BE-ja miratoi transferimin e rreth 160 000 azilkërkuesve nga shtetet anëtare të prekura drejtpërdrejt nga kriza, ndërkohë që prej janarit të këtij viti, mbi 580 000 refugjatë kanë hyrë në Greqi përmes kufirit të saj detar me Turqinë. Në këtë përpjekje, mbi 435 vetë kanë humbur jetën dhe sipas kryeministrit grekm i cili pritet të vizitojë Ankaranë së shpejti, një rrezik i tillë mund të shmanget vetëm nëse refugjatët regjistrohen dhe transferohen në Europë drejtpërdrejt nga Turqia.

Duke pasur në sfond fotografinë që ka bërë xhiron e mediave ndërkombëtare, me tre gjyshe nga ishulli i Lesbos që ushqejnë një foshnje nga Siria, Tsipras dhe kreu i PE-së, Martin Shultz, i cili po viziton Greqinë, kanë theksuar se kjo është fytyra e vërtetë e Unionit dhe jo ajo e një Europe që ndërton mure dhe ngre gardhe me tela me gjemba.

“Do të rrisim numrin e refugjatëve që ikin nga Greqia drejt Europës. 28 shtetet anëtare duhet të marrin përsipër një ndarje të drejtë të tyre”, ka theksuar Martin Shultz, ndërsa kryeministri i Luksemburgut, Jean Aselborn, ka theksuar se e ardhmja e Europës varet nga zgjidhja e krizës së refugjatëve./TCH

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/greqia-kryen-zhvendosjen-e-pare-te-azilkerkuesve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala