Greqi, protesta kundër politikave të BE-së për emigracion

Autori:Gazeta Fjala

Qindra grekë, studentë, punëtorë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut, kanë marshuar në mbrëmjen e së enjtes në rrugët e Athinës për të protestuar kundër politikave të Bashkimit Europian për emigracionin.

Duke mbajtur flamuj dhe parrulla në duar, protestuesit u janë drejtuar zyrave të Bashkimit Europian në kryeqytetin grek, duke bërë thirrje për ndryshimin e  politikave emigruese.

“Ne protestojmë për një solidaritet ndaj refugjatëve. Dyzet e shtatë sindikata kanë vendosur të protestojnë për të thënë se duhet të hapim kufijtë, të ndalojmë ndërtimin e gardheve, të prishim gardhin në kufijtë me Turqinë, në mënyrë që të krijojmë një kalim të sigurt për refugjatët nga Siria dhe Afganistani, që ata nëpërmjet vendit tonë të shkojnë aty ku ata dëshirojnë në Europë”, thotë një protestuese.

Protesta është zhvilluar ndërkohë që në Bruksel 28 liderët e BE-së janë mbledhur për të diskutuar për krizën më të madhe të refugjatëve në kontinent pas Luftës së Dytë Botërore dhe kryeministri grek Aleksis Tsipras, ka kërkuar mbështetje sidomos për vendet pritëse që janë Greqia dhe Italia.

“Besoj se sot kemi një samit shumë të rëndësishëm. Duhet të gjejmë një rrugë për të zgjidhur krizën e refugjatëve, këtë krizë humanitare të refugjatëve. Mbështetja e vendeve europiane të hyrjes, me respekt dhe solidaritet ndaj refugjatëve, është në interesin tonë të përbashkët, në interesin e përbashkët europian”, deklaroi Tsipras.

Mijëra refugjatë, kryesisht nga Siria, Afganistani dhe Iraku, përpiqen çdo ditë për të hyrë në Greqi nga brigjet turke nëpërmjet detit Egje me varka të vogla duke rrezikuar në më të shumtën e rasteve jetën e tyre.

Vetëm brenda një muaji, disa dhjetëra refugjatë, shumica e tyre gra e fëmijë, kanë humbur jetën pranë ujrave të ishujve Lesbos dhe Kos.

Sipas agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Emigracionin, rreth 400000 refugjatë kanë hyrë në Greqi nga janari i këtij viti, duke vënë në vështirësi autoritetet në përballimin e këtij fluksi, ndërkohë që vendi është i gjunjëzuar nga kriza shumëvjeçare ekonomike./TCH

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/greqi-protesta-kunder-politikave-te-be-se-per-emigracion/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala