Gratë me fëmijë që kthehen nga ISIS-i duhen integruar

Autori:Avdyl Pajaziti

Nuk është i vogël numri i grave nga Kosova që po i bashkëngjiten luftërave të “Shtetit Islamik” në Siri dhe Irak.

Shumica prej tyre shkojnë bashkë me burrat, por ka edhe raste kur ato marrin rrugë me vetiniciativë. Por Kosova nuk ka asnjë plan apo strategji se si t’i integrojë gratë që vendosin të kthehen pasi që ju vdesin burrat në ISIS.

“Kosova duhet të ketë një strategji për deradikalizëm, integrim dhe trajtim të rasteve kur gratë kthehen në Kosovë bashkë me fëmijë”, kështu u tha në debatin e organizuar në Mitrovicë nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), e mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Të pranishëm ishin imamë, gra të besimit mysliman, media, përfaqësues të zyrave ndërkombëtare etj. Gratë që kanë shkuar në Siri u tha të jenë më shumë viktima sesa pjesëmarrëse.

Pjesëmarrësit në debat vlerësuan se gratë dhe fëmijët që detyrohen nga burrat apo dikush tjetër që të shkojnë në Siri, të cilat kthehen më pas, duhet të bëhen pjesë e programeve rehabilituese, dhe riintegruese.

Diskutuesit në tryezë u shprehën kundër çdo lloji të diskriminimit të grave dhe fëmijëve të cilat kthehen nga Siria.

Arbana Xharra, kryeredaktore e gazetës “Zëri”, e cila tash sa vjet merret me hulumtimin e këtij fenomeni, tha se problemi duhet trajtuar nga “koka”, për të eliminuar radikalizmin, aty ky është nxitur ekstremizmi.

Image

E ndërkohë, sipas saj, shteti duhet të merret me gratë dhe fëmijët, të cilët kanë qenë të detyruar të shkojnë nga burra e tyre në ISIS.

“Mendoj që është koha për një narrativ ndryshe. Fillimisht duhet t’i ndërrojmë imamët aty ku ka pasur shtrirje të kësaj ideologjie, ku është nxitur të shkohet në Siri, duke i zëvendësuar ata me imamë që ligjërojnë në frymën e tolerancës. Edhe me gratë si viktima që kthehen nga ISIS, ato që kanë qenë të detyruara të shkojnë, duhet të ketë programe për trajtimin e tyre. Ka kohë që dihen shkaqet, për t’u parandaluar duhet marrë me problemin në krye dhe jo me faktorë pak të rëndësishëm. Për gratë dhe fëmijët duhen programe të veçanta, sociale, të riintegrimit etj. Përjashtimi i tyre dhe i fëmijëve vetëm sa rrit potencialin për shtrirjen e radikalizmit”, ka thënë Xharra.

Ndërkaq, Skender Perteshi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, është shprehur se Qeverisë i nevojitet strategji gjithëpërfshirëse për t’u ofruar ndihmë grave e sidomos fëmijëve që të kthehen në Kosovë nga luftërat që po zhvillohen në Siri dhe Irak.

“Nevojitet që strategjia e Qeverisë të jetë sa më gjithëpërfshirëse për t’u ofruar ndihmë sidomos grave dhe fëmijëve që kthehen, ngase të dhënat tregojnë se pjesëtarët e ISIS-it nga Kosova janë ndër të vetmit që marrin edhe familjet me vete në vatrat e luftimeve, madje edhe fëmijët”, është shprehur Perteshi.

Besa Ismaili nga Qendra Kosovare për Dialog, tha se gratë kosovare që kthehen nga luftërat në Siri dhe Irak janë të varfra, të paarsimuara, të paragjykuara, të diskriminuara dhe të izoluara. Si rezultat këto gra nuk kanë asnjë mekanizëm që mund të jetë zëri i tyre.

Ndërsa, Imami Ekrem Avdiu, imam në Mitrovicë, tha se gratë kosovare, ato që janë aktualisht në Siri dhe ato që janë kthyer, janë viktima e jo pjesëmarrëse.

“Margjinalizimi i pjesës fetare të shoqërisë bën që të zgjidhen forma radikale që ushqejnë islamofobinë e që janë goditëse për komunitetin fetar mysliman. Nuk po bëhet dallim nga praktikuesi i fesë dhe ekstremisti”, ka thënë Avdiu.

Shqipe Mjekiqi, këshilltare e lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, tregoi se kjo Ministri është duke bërë përpjekje që t’i identifikojë faktorët që bëjnë që këto gra t’u bashkohen këtyre luftërave.

“Ne në MPB po përpiqemi që t’i identifikojmë faktorët që bëjnë që këto gra t’u bashkohen luftërave në Siri dhe Irak, ngase vetëm në Kosovë po ndodh që gratë dhe fëmijët t’i bashkohen një lufte të huaj”, deklaroi Mjekiqi.

Ky aktivitet është pjesë e projektit të mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë/ Përfaqësuesit Special të BE-së: “Rrëfimi i dy qyteteve: Radikalizmi dhe Kundërpërgjigja në Vushtrri dhe Mitrovicë”, qëllimi i të cilit është rritja e aktivizimit dhe vetëdijesimit qytetar në parandalimin e përhapjes së ekstremizmit, si dhe kontributi në  kundërpërgjigjen ndaj përhapjes së propagandës së grupeve ekstremiste në Kosovë.

Image
Image

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/grate-me-femije-qe-kthehen-nga-isis-i-duhen-integruar/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala