Grandin ma morën mafiozët

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryetari i AKR-së dhe biznesmeni, Behgjet Pacolli, ka thumbuar udhëheqësit e shtetit, ku para disa dite patën një takim për luftimin e korrupsionit.

Pacolli përmes rrjetit social Facebook edhe një herë është ankuar për privatizimin e Hotelit Grand, ku ka thënë se i ka humbur 6 milion euro dhe shteti nuk është interesuar për problemin e tij.

Ne po ua sjellim të plot shkrimin e Pacollit në Facebook:

Para dy ditë u mbajt takimi i Këshillit Kombëtar Antikorrupsion në hapësirat e qeverisë së Kosovës, ku në mënyrë pompoze eksponuat që nga presidentja; kryeministri, kryeparlamentari etj. Për dikë që nuk ka përjetuar trauma të korrupsionit në Kosovë, mund të ishte inkurajuese, por për ata të cilët e njohin situatën në Kosovë dhe që kanë qenë viktima të qarqeve mafioze të mbështetura dhe të legjitimuar nga disa njerëz të organeve shtetërore është tepër zhgënjyese dhe ofenduese.

Kompania ime është viktimë praktike e këtyre qarqeve: siç e dini kompania ime ka investuar mbi 6 milion euro për blerjen e shumicës së pakos së aksioneve të hotelit “Grand”, duke paguar në agjensinë e privatizimeve (AKP), dhe asnjëherë nuk mundi të gezojë të drejtën e pronës të përfituar legjitimisht. Madje, kjo e drejtë legjitime mbi pronën iu sanksionua nga organet e vetme të këtij shteti, që pretendon nga njerëzit dhe organet që gjoja sot po lufton korrupsionin. Sinqerisht, ju them se korrupsionin në Kosovë njerëzit e instaluar nëpër organet shtetërore janë duke e shfrytëzuar si instrumentin më të mirë për të luftuar të tjerët, dhe për t’u pasuruar vetë.

Për rastin e hotel “Grand”, siç e dini, mua më është kërkuar një shumë e madhe parash, të cilën unë e kam refuzuar, madje e kam denoncuar këtë rast me dëshmi, për të mundësuar implementimin e një të drejte mbi pasurinë e arritur në mënyrë legjitime. Dhe askush nuk u interesua të merrej me këtë rast egletant korruptiv.

Në mënyrë brutale e mafioze mu është tërhequr kjo pronë. Mua, si njeri i Kosovës, më vjen shumë keq, dhe e them me keqardhje, se në një tribunal jashtë Kosovës do të trajtohet në mënyrë kronologjike ky akt vandal mafioz, korruptiv, i mbështetur nga disa organe të drejtësisë së Kosovës. Kompania ime ka në dorë një vendim gjyqësor dhe një mase preventive siguruese në fuqi nga gjyqi themelor i Prishtinës, dhe nga instancat e tjera gjyqësore është injoruar në mënyrë brutale. Në sistemin e drejtësisë së botës nuk ekzistojnë praktika ku nuk përfillet një vendim i tillë, dhe Kosova në këtë është rast sui generis.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/grandin-ma-moren-mafiozet/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala