Grafiti me politikanët edhe në Tiranë, i riu: Ja pse pikturuam Ramën, Metën dhe Berishën me kallashë

Autori:Gazeta Fjala

Grafite me Ramen, Meten dhe Berishen Grafite me Ramen, Meten dhe Berishen
Katër aktivistë të “Lëvizja për Universitetin” u shoqëruan mesnatën e djeshme në ambientet e Komisariatit Nr.3 në kryeqytet, pasi u kapën duke vizatuar një karikaturë në kujtim të 21-janarit.

Burime pranë policisë bënë me dije se personat e ndaluar janë: Klodi Leka, Stavro Çina, Isa Myzyraj dhe Albina Ruko. Sakaq, karikatura u vizatua në murin e një pallati në rrugën “Myslym Shyri”, ku Edi Rama, Ilir Meta dhe Sali Berisha shfaqen me kallashnikovë në dorë dhe me mbishkrimin “21 janar ka përditë”. Bashkia e Tiranës i ndëshkoi me masë administrative prej 120 mijë lekësh të vjetra, e cila do të ndahet për të katërt aktivistët. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Klodi Leka shprehet se karikatura që ata po realizonin është një “Art rruge” dhe se kjo gjë është e ndaluar vetëm në Shqipëri.

Klodi ju jeni një nga personat që jeni shoqëruar në ambientet e Komisariatit Nr.3 në Tiranë, pasi keni vizatuar një karikaturë në mur në kujtim të 21-janarit. Si ju lindi kjo ide?

Ajo që ne bëmë nuk është një ide të cilën duhet ta krijojmë, por është një ide që quhet “Arti i rrugës”. Kjo është një nga mënyrat më të përhapura ku supozohet se mund të ketë një farë demokracie. Por, në Shqipëri dhe në ambientet e policisë “Arti i rrugës”, ashtu siç thonë edhe shefat e policisë është i ndaluar dhe se në vendin tonë nuk njihet fare. Kjo që bëmë ne është një vepër arti dhe është një nga mënyrat që ne zgjodhëm për t’u shprehur përsa i përket drejtësisë në vendin tonë.

Kjo nuk është karikatura jonë e parë që ne kemi bërë, pasi kur kryebashkiaku i Tiranës po ndërmerrte aksionin “Luftës kundër zhulit”, fytyra e tij shpalosej me mbishkrimin “Pështy këtu”, e cila ka qenë e vendosur në mjediset publike.

Pse keni pikturuar pikërisht Edi Ramës, Ilir Metën dhe Sali Berishën?
Sepse pikërisht këta të tre janë kokat kryesore që mbajnë përgjegjësi për degradimin që ka pësuar shoqëria këto 25 vitet e fundit.

Në çfarë ore ju kanë shoqëruar në polici dhe ku keni qenë ju në ato momente?

Jemi shoqëruar në polici në orën 00:20 minuta dhe kemi qenë në një rrugë në lagjen “Myslym Shyri”. Mendoj se dikush duhet të ketë spiunuar për ne, pasi ka shumë spiunë vërdallë. Madje sikur policia të kishte ardhur edhe dy minuta më vonë, pasi fatkeqësisht ne e lamë artin në gjysmë. Nuk arritëm ta përfundonim të gjithë pikturën.

Çfarë deklaruat në komisariat?

Edhe në komisariat kemi deklaruar po të njëjtën gjë, se veprimi ynë është “Art rruge”. Se këtë gjë ne e konsiderojmë si një mënyrë ironike të shprehjes e cila është e garantuar edhe në kushtetutë dhe nuk ka asnjë denigrim publik. Por, mesa duket ligjvënësit dhe ligjzbatuesit tanë janë shumë të trashë për ta kuptuar këtë lloj arti dhe ironinë. Nëse policia arrin ta ndërmarrë veprimin tonë si vepër penale për shkatërrim të pronës për një grafit, ku shprehet indinjata për mosveprimet ose mbi mosvendosjen e drejtësisë, ku 4 të vrarët e 21-janarit edhe pas 5 vjetësh, imagjino se çfarë drejtësie do të ndërmarrin këta për vrasësit e vërtetë të atyre qytetarëve që u vranë në bulevard.

Ju vetë keni qenë i pranishëm në ngjarjen e 21-janarit?

Po edhe unë kam qenë i pranishëm më 21-janar dhe me të dyja duart kam qëlluar me gurë përballë Kryeministrisë për këta që sot janë në pushtet. Edhe pas 5 vjetësh nuk ka ndryshuar po asnjë gjë. Është po e njëjta praktikë qeverisëse, është po i njëjti vizion konçensionar qeverisës.
Bashkia e Tiranës ju ka vënë një gjobë prej 3 mijë lekësh të reja. A do ta paguani ju këtë gjobë?

Mënyra se si Policia e Shtetit lajmëroi menjëherë bashkinë, mu duk si një grabitje e hapur dhe e pa cipë. Mua dhe shokëve të mi, në polici na mbajtën peng pasaportën dhe kartën e identitetit. Unë jam student dhe jam i detyruar ta paguaj atë gjobë edhe pse realisht nuk i kam mundësitë për ta paguar. Bashkia na vuri një gjobë prej 120 mijë lekësh të vjetra për të katërt dhe këtë shumë e ndanë nga 30 mijë lekë të vjetra për person.
Do të vijoni sërish të bëni karikatura të kësaj natyre?
“Arti i rrugës” nuk ka ardhur akoma si praktikë në Shqipëri, pasi vetëm këtu gjobitet diçka e tillë dhe ne mendojmë se do ta vazhdojmë këtë gjë. Por, në Tiranë nuk ka asnjë hapësirë publike se ku mund të shprehësh mendimet e tua në formën e të vizatuarit. Madje kjo është diçka shumë problematike, pasi nëse karikatura quhet akt i paligjshëm, imagjino se çfarë do të thotë policia për poezitë apo për prozat që shkruajmë. Edhe një nga akuzat e policisë është krejt banale, ku thonë se ju keni shprehur publikisht mendimet tuaja, por ne nuk mundemi që mendimet tona t’i shprehim privatësisht, të paktën në demokraci.
Kur kanë kaluar 5 vite nga ngjarja e 21-janarit, cila është thirrja që ju bëni?
Pas 5 vitesh që unë kam qenë në atë ngjarje, tashmë i lutem fatit që nuk kam përfunduar si “mish për top” për një klasë politike, për një grusht njerëzish që nuk janë asgjë. Unë vetë nuk kam se çfarë thirrje t’i bëj shtetit kur jam i pa shpresë. Nëse sot është e ndaluar një grafit, atëherë pse nuk është e ndaluar që të këndosh në rrugë edhe një këngë të revoltës?

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/grafiti-me-politikanet-edhe-ne-tirane-i-riu-ja-pse-pikturuam-ramen-meten-dhe-berishen-me-kallashe/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala