Grabovci: Po e presim Qeverinë për Specialen – ne jemi gati

Autori:Avdyl Pajaziti

Adem Grabovci, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së thotë se derisa Qeveria nuk vendos që ta fut në rend dite ndryshimin e amendamenteve kushtetuese që çojnë drejt votimit të Gjykatës Speciale, asnjë grup parlamentar nuk ka të drejtë që ta kërkojë një gjë të tillë.

Sipas tij, Qeveria vendos se kur do ta sjellë në Parlament vendimin për votim të Speciales, e pastaj është fjala e deputetëve ajo që luan rol.

“Ne nuk kemi të drejtë si grup parlamentar, por ajo bëhet me kërkesë të Qeverisë. Varet prej Qeverisë, është çështje e tyre. Kur ata ta sjellin në Parlament vendimin atëherë është fjala e deputetëve dhe vlerësimi i tyre. Janë procedurat e rregullta që ndjekin dhe kur të vendos Qeveria, ne e themi fjalën tonë”, ka sqaruar Grabovci për Indeksonline.

Ai thotë se Specialja mund të sillet në Parlament edhe me procedurë të shpejtë nëse ashtu vendos Qeveria, por që kryesore, siç thotë Grabovci, është që gjykata të votohet.

“Qeveria duhet ta sjellë në Parlament dhe pastaj procedohet më tutje. Mund të kërkohet anashkalim apo që me procedurë të shpejtë të futet në rend dite, por paraprakisht duhet të vije në Parlament. Deri më tash nuk ka ardhur. Ajo që është e rëndësishme për mua dhe për të gjithë është që duhet të përgatitet mirë dhe nuk guxon të dështojë. Kur të vijë në Parlament duhet patjetër ta marrë votën e nevojshme”, ka thënë më tej Grabovci për Indeksonline.

Gjatë javës që e lamë pas, disa nga deputetët “rebelë” të PDK-së të cilët herën e parë kishin votuar kundër ose nuk kishin marrë fare pjesë në votim, e kanë ndërruar mendjen për Specialen. Të paktën 5 prej tyre do të jenë pro Speciales për dallim nga hera e parë që dolën kundër. Kjo vjen pasi që kreu u partisë Hashim Thaçi mbajti mbledhje me GP të PDK-së. /Indeksonline/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/grabovci-po-e-presim-qeverine-per-specialen-ne-jemi-gati/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala