Grabovci opozitës: Ejani në Parlament shprehni shqetësimet

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, i cili ka marrë pjesë në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit, i ka bërë thirrje opozitës që t’i shpreh shqetësimet në Parlament.
“Shpresojmë se Parlamenti do t’i rikthehet normalitetit të punës. Në rend të ditës kemi shqyrtime të çështjeve të ndryshme me rëndësi, kështu që duhet të punojmë me intensitet të shtuar për ta kompenzuar kohën e humbur” ka thënë ai.
Opozita e ka bojkotuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit ku është vendosur që seanca të vazhdojë të enjten.
“Opozita duhet të vijë ta thotë fjalën e vet aty ku e ka vendin sepse nëse vazhdojmë në këtë mënyrë po rrezikojmë vendin dhe stabilitetin e institucioneve. Bllokimi i kuvendit është I paarsyeshëm. Sikur ta bllokonte pozita opozitën atëherë opozita do të kishte të drejtë, por ne po I bëjmë thirrje që të vijnë ti shprehin shqetësimet në parlament” ka thënë ai.
“Partnerët e koalicionit nuk janë për eskalim të dhunës. Jam shumë i sigurt se të enjten seanca do të zhvillohet në mënyrë normale dhe opozita do të vijë ta thotë fjalën e vet” ka shtuar ai.