Grabovci kërkon të dënohen Kurti, Topalli e Kadaj-Bujupi

Autori:Gazeta Fjala

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci ka deklaruar se, organet kompetente duhet të veprojnë karshi deputetëve të partive opozitare që kanë hedhur gazin lotsjellës në sallën e Kuvendit të Kosovës. Posedimi dhe përdorimi i armëve kimike, sipas Grabovcit, ka rrezikuar jetën e gjithë deputetëve.

“Deputetët që shkelin ligjin duhet të ndëshkohen. Disa prej tyre kanë bërë shkelje të rënda ligjore dhe normalisht se ligji duhet të veprojë. Mendoj se vet organi i prokurorisë duhet të merret me to pasi që janë bërë shkelje të rënda. Posedimi i armëve pa leje dhe përdorimi i tyre në mënyrë të paautorizuar siç është ambienti i mbyllur ka të bëjë me rrezikimin e jetës, dhe është vepër penale”, ka thënë ai.

I pyetur nëse kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli duhet të merret me deputetët që hodhën gazin lotsjellës, Grabovci u shpreh shkurt se “nuk kemi të drejtë të përzihemi”.

Një mekanizëm veprues do të fillojë të funksionoi ndaj atyre që kanë penguar mbajtjen e seancave, shkruan Zëri.info.

Kryesia e Kuvendit, sipas këtyre burimeve, ka marrë vendim që të gjithë deputetët problematikë të cilët nuk do të lejojnë zhvillimin normal të seancës, do të ndëshkohen nga Kuvendi.

Heqje në mëditje dhe përjashtimet nga seanca janë dy metodat që Kryesia e Kuvendit ka ardhur në përfundim për të bërë për të gjithë ata që tash e tutje pengojnë mbarëvajtjen e seancave të rregullta të Kuvendit.

Ndërkohë tashmë duket se Kuvendi do të “ndëshkojë” 6 deputetë të opozitës për veprimet e tyre në seancat e fundit të parlamentit.

Në mesin e këtyre deputetëve janë: Albin Kurti, Glauk Konjufca, Faton Topalli, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi, Pal Lekaj si dhe Fisnik Ismajli./Zeri.info

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/grabovci-kerkon-te-denohen-kurti-topalli-e-kadaj-bujupi/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala