Grabovci: Grupi “Drenica”, shembull i keq për drejtësinë

Autori:Avdyl Pajaziti

Shefi i grupit parlamentar i PDK-së, Adem Grabovci, ka thënë se kërkesa për shtyrjen e seancës për Gjykatën Speciale është parashtruar vetëm për shkak të mungesës së materialeve, konkretisht për shkak të Projektligjit për këtë gjykatë.
Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Grabovci ka deklaruar se shtyrja e seancës për Gjykatën Speciale nuk kishte të bënte me mungesë të votave në Kuvend siç po pretendon opozita.

“Në asnjë moment nuk kanë qenë në pyetje votat. Ne nuk jemi duke biseduar për vota, por për materie dhe drejtësinë”, ka deklaruar Grabovci.

Ai ka thënë se shtyrja e kësaj seance nuk ka të bëjë me dënimin e grupit “Drenica”, ani pse ka deklaruar se vendimi për dënimin e këtij grupi është shembulli i vetëm në botë ku nuk respektohet drejtësia.

“Këto dy çështje janë të ndara. Vendimi për dënimin e grupit ‘Drenica’ është vendim ekstrem. Pa pretenduar fare të ndikojmë te drejtësia, rasti ‘Drenica’ është shembulli i vetëm në botë se si nuk respektohet drejtësia. Nëse ka diku që nuk ka pasur drejtësi dhe ka pasur shkelje flagrante të drejtësisë dhe mohim të saj, atë e gjejmë tek grupi ‘Drenica’”, ka thënë ai.

Sipas Grabovcit, ka gjasa që të hënën e javës së ardhshme Kryesia e Kuvendit të vendosë se kur do të trajtohen dokumentet për themelimin e Gjykatës Speciale. Pavarësisht kësaj, Grabovci ka kërkuar nga opozita mos të bëjë përpjekje të fitojë politikisht me çështje të ndjeshme siç është Gjykata Speciale. “Sinqerisht unë e kuptoj opozitën se duhet të bëjë politikë, por me disa çështje nuk duhet të bëhet politikë”, është shprehur Grabovci.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/grabovci-grupi-drenica-shembull-i-keq-per-drejtesine/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala