Grabitje të njëpasnjëshme në një market në Prishtinë

Autori:Gazeta Fjala

Grabitet në Kosovë sikur nuk kanë të ndalur. Çdo natë dëgjohen lajmet se janë grabitur shtëpi, posta e markete të mëdha.

E një grabitje e përsëritur i ndodhi edhe marketit ‘Toni’ i cili gjendet  rrugës duke shkuar për parkun Gërmia në Prishtinë.

Në këtë market kishte ndodhur një grabitje më datën 26 mars të vitit të kaluar ku kishin hyrë tre persona të maskuar të cilët me automatik kallashnikov kanë frikësuar arkëtarët.

Në një video që pati siguruar portali Arbresh.info dukej çdo gjë dhe ngjasonte sikur vjedhjet që ndodhin në filma. Kaloi po thuaj gati një vit dhe ndonëse pronari paraqiti rastin në Polici ende asnjë rezultat.

Mirëpo, prapë e njëjta gjë i ndodhi këtij marketi, pikërisht në natën e ndërrimit të mot-moteve ku disa persona kanë hyrë në këtë market me maska dhe kishin vjedhur disa gjëra.
Këtë e konfirmon për portalin Arbresh.info pronari i këtij marketi Sevdaim Kaqiu i cili thotë se është i zhgënjyer që ende nuk është zgjidhur ky rast nga Policia e Kosovës.

“Është duke ndodhur dy herë i njëjti rast pra një në muajin mars të vitit të kaluar, e një natën e Vitit të Ri ku kanë qenë prapë tre persona të cilët kanë hyrë dhe kanë vjedhur kartela e kjo ndodhi pasi që mbyllëm dyqanin pra nuk kishte punëtor për t’i frikësuar”, ka thënë ai.

Kaqiu thotë se e kanë lajmëruar edhe këtë rast në Polici e ende janë në pritje për ndonjë përgjigje.

“E kemi lajmëruar edhe këtë rast në Polici dhe ende nuk kemi marr përgjigje as për rastin e kaluar e as për këtë pra ende nuk dihet kush e ka bërë. Ne nuk po e dimë çka të bëjmë vetëm ta marrim ligjin në duar  pasi që policia nuk po e kryen punën madje edhe po t’i pyesësh iu vjen mërzi”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër lidhur me këtë rast zyrtari për informim në rajonin e Prishtinës, Agron Borovci në një prononcim për portalin Arbresh.info ka thënë se policia ka kryer intervistimin e viktimës si dhe ka ndërmarrë disa hapa në kontekstin e bashkëpunimit me qëllim ndriçimin e rastit.

“Në të njëjtën kohë policia ka intervistuar edhe disa persona të tjerë për të cilët ka pasur indicie se mund të kenë informacione lidhur me rastin. Policia gjithashtu bashkërisht me prokurorinë e shtetit po vazhdon me ndërmarrjen e një varg veprimesh operativo-hetimore që konsistojnë në identifikimin e personave të dyshuar, dhe ndriçimin e rrethanave që karakterizojnë rastin ku aktualisht jemi në një fazë të ndërmarrjes së këtyre veprimeve, por ende nuk kemi të dyshuarit e rastit”, ka thënë ai duke shtuar se janë duke analizuar  rrethanat mbi ndërlidhjen eventuale të të dyshuarve të këtij rasti e siç tha ai edhe me rastet e tjera të ngjashme të ndodhura në një perimetër zonal të përafërt.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/grabitje-te-njepasnjeshme-ne-nje-market-ne-prishtine/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala