Goleshi kthehet në privatizim

Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme ka refuzuar si të pabazuar padinë e ish blerësit të “MIM Golesh”, Hysni Zogaj, kundër Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Kështu, miniera e Goleshit do të shkoj në privatizim dhe ish blerësi i saj nuk ka asnjë të drejtë më mbi këtë ndërmarrje.
Në AKP thonë se vendimi i Bordit të Drejtorëve për tërheqje të aksioneve dhe kthimin e saj nën administrim të Agjencisë ishte marrë si pasojë e mospërmbushjes së kushteve të kontratës nga ana e blerësit dhe shkeljeve të vazhdueshme të kontratës së shit-blerjes, të konstatuara edhe nga auditimet e Auditorëve të jashtëm të angazhuar nga Agjencia.
“Aktgjykimi thekson se vendimet e atakuara të marra nga AKP-ja janë të bazuara në ligj dhe se vendimet e AKP-së për të tërhequr aksionet dhe rimarrë kontrollin mbi kompaninë janë lëshuar në përputhje me rregullat procedurale në fuqi”, thuhet në njoftimin e AKP-së.
Në fundin e vitit 2007, Hysni Zogaj, pronar i kompanisë “Iming”, kishte blerë nga ish- Agjencia Kosovare e Mirëbesimit(AKM) minierat kosovare të magnezitit në Golesh dhe Strezovc për më shumë se 1.5 milionë euro, ku kishte premtuar edhe mbi 30 milionë euro investime dhe 600 të punësuar./Gazeta Fjala/