Gjyqtarët e Supremes kërkojnë veprime në Pallatin e Drejtësisë

Autori:Avdyl Pajaziti

 

Gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kosovës, në mbështetje nga kryetari i kësaj gjykate, Fejzullah Hasani, kërkojnë nga Ministria e Administratës Publike (MAP), nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), që urgjentisht të ndërmarrin veprime përkitazi me gjendjen e rëndë në Pallatin e Drejtësisë, e krijuar si pasojë e mungesës së kushteve elementare për jetë.

“Si pasojë e mosfunksionimit të sistemit të ajrimit, (gjë që është dëshmuar edhe me raportin e Inspektoratit Sanitar të Kosovës), gjyqtarët e Gjykatës Supreme gjatë qëndrimit ditor në zyrë ndjejnë marramendje, dhimbje koke, molisje dhe simptoma të tjera të ngjashme, të cilat nuk u janë manifestuar më parë”, thuhet në një komunikatë për media të kësaj Gjykate.

Në lidhje me këtë gjyqtarët kërkojnë ndërmarrjen e hapave urgjent për sanimin e kësaj gjendjeje të papranueshme, e cila po rrezikon shëndetin e gjyqtarëve dhe stafit të gjykatës.

“Si pasojë e mosfunksionimit të duhur të liftave, jeta e gjyqtarëve dhe stafit mbështetës u rrezikua disa herë në këtë pallat, brenda një periudhe të shkurtër, prej kur jemi vendosur këtu. Që nga rasti i fundit, liftat janë jashtë funksionit dhe nuk shohim askënd që punon në rregullimin e tyre”, thuhet në komunikatë.

Në anën tjetër, nga raporti i Inspektoratit Sanitar të Kosovës i datës 23 prill 2015, del se ky objekt nuk e ka pasur as pëlqimin sanitar për lokacionin ku është ndërtuar; ky objekt nuk e ka pëlqimin sanitar për pranimin në aspektin e kushteve sanitare-teknike dhe hixhenike.

Raporti në fjalë, ka konstatuar se sistemi i ajrosjes nuk funksionon në të gjitha hapësirat e objektit.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/gjyqtaret-e-supremes-kerkojne-veprime-ne-pallatin-e-drejtesise/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala