Gjykata Speciale prioritet kryesor

Prioritet mbi prioritetet e kësaj qeverie do të jetë themelimi i Gjykatës së Posaçme.
“…sipas vendimit të Kuvendit, do të jetë një ndër sfidat kryesore të Qeverisë dhe të Legjislaturës së re. Qeveria do të trajtojë me prioritet hartimin dhe miratimin e Ligjit për themelimin e kësaj Gjykate. Qeveria me prioritet do të hartojë dhe t’i propozojë Kuvendit për aprovim, Ligjin për themelimin e kësaj Gjykate, që tanimë është marrë si obligim ndërkombëtar nga ana e Republikës së Kosovës në proceset integruese”, thuhet në raport.
Ndërkaq, për tri vitet e ardhshme Qeveria e Kosovës zotohet se do të jetë e pa kompromis në luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar, terrorizmit dhe aktiviteteve të lidhura me dukurinë e terrorizmit, krimit ekonomik, trafikimit të qenieve njerëzore dhe llojeve të tjera të kriminalitetit.
E luftimi i këtyre të kqijave duket se nuk do të jet i lehtë.
“Kjo mund të realizohet vetëm me njerëz që kanë duar të pastra dhe që janë të përgjegjshëm”, thuhet në programin e Qeverisë, të cilin e posedon Gazeta Fjala.
Sikur edhe në të kaluaarën, edhe tani premtohet se Qeveria parasheh që të tregojë zero tolerancë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Sfida kryesore në luftën kundër korrupsionit është mungesa e rezultateve të shumta në hetimet e korrupsionit, mungesa e transparencës dhe llogaridhënia në procesin e prokurimit dhe zbatimi i dobët i legjislacionit”.
Ekzekutivi është i vetëdijshëm për sfidat që e presin dhe parasheh që me kornizën e re institucionale sistemi i drejtësisë do të konsolidohet dhe të koncentrohet në përmirësimin e cilësisë, efikasitetit dhe performancës.
“Sfidë tjetër është edhe marrja e përgjegjësive ekzekutive nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX, si dhe zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, përkatësisht vendosja e një sistemi uniform në tëre territorin e Kosovës”.