Gjykata Speciale: Këto janë zonat ku momentalisht po hetojnë ndërkombëtarët (Video)

Autori:Avdyl Pajaziti

Kleçka, Liqeni i Radoniqit, fshati Bellaqevc i Obiliqit dhe fshati Zoqishtë i Rahocevit, janë vetëm disa nga zonat ku tashmë hetues të Gjykatës Speciale kanë intervistuar më shumë se 20 dëshmitarë për krimet e supozuara ndaj banorëve serbë dhe disa shqiptarëve të cilësuar në kohë lufte si kolaboracionistë.

Dëshmitë e këtyre dëshmitarëve, sipas burimeve të TV Dukagjinit, janë vlerësuar si kredibile nga ana e hetuesve që do të merren me krimet e supozuara në raportin e Dick Martyt, për ngritjen eventuale të aktakuzave menjëherë pas krijimit të Gjykatës Speciale.

Në fakt, për të gjitha zonat dhe krimet e pretenduara, tashmë janë bërë hetime në të kaluarën – qoftë nga Haga, qoftë nga prokurorë të EULEX-it.

Prokurorë të Tribunalit të Hagës nuk kishin mundur të gjejnë prova për akuzat e ngritura edhe më herët për liqenin Radoniqin, ku dyshohet se ishin hedhur serbë të vrarë në zonën e Dukagjinit.

Edhe për Kleqkën tashmë ka pasur hetim dhe një aktakuzë, por në këtë rast nga EULEX-i.

Ish komandant Çeliku aktualisht kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ishte liruar nga të gjitha akuzat për rastin Klecka – bashkë me nëntë bashkëluftëtarë të tij. Ata akuzoheshin për vrasje, tortura dhe shkelje të integritetit fizik e shëndetësor të civilëve shqiptarë e serbë, si dhe të robërve të luftës në Kleçkë gjatë vitit 1999. Hetimet për këtë rast ishin kryer nën mbikëqyrjen e prokurorit të EULEX-it, pranë zyrës së Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Gjykata Speciale për krimet e luftës së UCK-së, pritet të merret me prioritet edhe me luftën në Zoçishtë të Rahovecit, në korrik të vitit 1998. Në fakt, “Rahoveci 98” fillimisht ishte hetuar nga Tribunali i Hagës, por nuk qe ngritur ndonjë aktakuzë për te. Më pas, rasti iu dorëzua UNMIK-ut, i cili e transferoi lëndën te EULEX-i. Shtatë shqiptarë që ishin akuzuar nga ky mision në lidhje me Zoçishten, u shpallën të pafajshëm në shkurt të vitit 2013, në mungesë të provave.

Pretendohet se në korrik 1998 në Rahovec janë vrarë 47 persona, ndërsa 100 tjerë janë kidnapuar gjatë kësaj kohe dhe më pas 60 nga ta janë liruar. Mbetjet mortore të disa të tjerëve janë gjetur më 2005.

Pa u hetuar nuk ka mbetur dhe rasti i pesë serbëve të rrëmbyer në mëngjesin e 22 qershorit të vitit 1999 në fshatin Bardh (Bellaqevc). Të pesë viktimat thuhet se shin rrëmbyer rrugës duke shkuar në punë, në Minierën e Qymyrit në këtë fshat..

Avokati Tom Gashi thotë se asnjë nga të akuzuarit e Tribunalit nuk do të mund të akuzohet sërish për të njëjtat pretendime. Ai megjithatë ka pranuar se mbrojtja do ta ketë më vështirë, për shkak se procesi I verifikimit të veteranëve të UÇK-së ka vendosur përgjegjësinë komanduese të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. /RTV Dukagjini/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/gjykata-speciale-keto-jane-zonat-ku-momentalisht-po-hetojne-nderkombetaret-video/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala