Gjykata shpall fajtorë të akuzuarit për dhunim në Dubravë

Autori:Avdyl Pajaziti

Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, dje, më 26.11.2015 ka shpallur fajtor të akuzuarit për rastin e dhunimit në QK Dubravë për veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryerësve të tyre”, dhe i ka dënuar me dënim me burgim efektiv nga gjashtë muaj për secilin, njofton kumtesa nga Gjykata Themelore e Pejës.

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), në kuadër të mandatit për monitorimin e respektimit të të drejtave të njeriut, ka trajtuar në vazhdimësi rastin e dhunimit të një të riu në Qendrën Korrektuese në Dubravë, i cili ka ndodhur me 25 Shtator 2014. Nga momenti i evidentimit të këtij rasti ekipi profesional i QKRMT-së i ka ofruar trajtim psiko-social viktimës. Ndërsa pas ngritjes së aktakuzës, QKRMT ka angazhuar një përfaqësues ligjor për përfaqësim të viktimës gjatë seancave gjyqësore.

Sipas aktakuzës, katër të akuzuarit akuzoheshin: njëri për dhunim ndërsa tre të tjerët për ndihmë gjatë kryerjës së veprës penale. Mirëpo pas ngritjes së aktakuzës, kryerësi i pretenduar i veprës penale “dhunim”, ka bërë vetëvrasje brenda ambienteve të Shërbimit Korrektues të Kosovës, ndërsa për tre të akuzuarit tjerë ka vazhduar gjykimi pranë Gjykatës Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda.

Pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor (shqyrtimit të provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve), në fjalën përfundimtare të palëve, më 24.11.2015, prokuroi i çështjes ka ndryshuar kualifikim e veprës penale, nga ndihma në kryerjen e veprës penale, në “Moslajmërimi i veprave penale apo kryerësve të tyre” nga neni 386 i Kodit Penal të Kosovës.

Sipas këtij kualifikimi ligjor të veprës penale (“Moslajmërimi i veprave penale apo kryerësve të tyre”), Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, dje, më 26.11.2015 ka shpallur fajtor të tre akuzuarit për rastin e dhunimit në QK Dubravë, duke shqiptuar dënimin me burgim efektiv nga gjashtë muaj për secilin.

Duke marrë parasysh, natyrën e rastit, rrethanat në të cilat ka ndodhur rasti, pasojat te viktima, si dhe përgjegjësinë e autoriteteve korrektuese për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e personave të dënuar, QKRMT konsideron se dënimin i kryerësve vetëm për veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryerësve të tyre”, nuk është në përputhje me shkallën e përgjegjësisë së personave të akuzuar duke ditur rolin e tyre në kryerjen e veprës penale e në veçanti mos ofrimin e ndihmës viktimës së veprës penale – Rrethana këto që krijojnë pasiguri juridike tek opinioni i gjerë si dhe tek të burgosurit e tjerë duke ditur edhe jehonën mediale që kishte pasur ky rast.

QKRMT, respekton pavarësinë e gjykatave dhe vendimeve të gjykatave, por me kërkesë të palës së dëmtuar (viktimës së dhunimit në QK Dubravë), përmes përfaqësuesit ligjor do të paraqesë ankesë në shkallën e dytë kundër Aktgjykimit të Gjykatës së shkallës së parë, duke iu referuar dënimit të ulët me burgim dhe mos marrjes në konsideratë rrethanat e lartë cekura duke përfshirë edhe të kaluarën kriminale të kryerësve.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/gjykata-shpall-fajtore-te-akuzuarit-per-dhunim-ne-dubrave/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala