Gjykata Kushtetuese i thotë PO themelimit të Gjykatës Speciale

Autori:Avdyl Pajaziti

Gjykata Kushtetuese e Kosovës shpalli sot të pranueshme kërkesën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, një vendim sipas të cilit Amendamenti nr.24 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës nuk pakëson të drejtat dhe liritë e njeriut, të përcaktuara në Kapitullin II dhe III të Kushtetutës.

Ndryshimi ka të bëjë me formimin e Gjykatës Speciale për Krime të Luftës.

Në arsyetimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës theksohet:

Gjykata, në mbështetje të nenit 113.9 dhe të nenit 144.3 te Kushtetutës, në mbështetje të nenit 20 të Ligjit dhe në mbështetje të rregullit 56 (1) të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, në seancën e mbajtur më 14 prill 2015, njëzëri

VENDOS

I. TË DEKLAROJË të pranueshme kërkesën e kryetarit të Kuvendit, të dorëzuar më 9 mars 2015, me Amendamentin nr. 24 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

II. TË KONFIRMOJË që Amendamenti nr. 24 nuk pakëson të drejtat dhe Liritë e njeriut, të përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës si dhe në Kapitullin III të Kushtetutës dhe me shkronjën e me frymën e saj, siç është përcaktuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës;

III. T’UA KUMTOJË këtë aktgjykim palëve dhe ta publikojë atë në Gazetën

Zyrtare, në pajtim me nenin 20 (4) te Ligjit; dhe

IV. Ky aktgjykim hyn ne fuqi menjëherë.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës u ratifikua Marrëveshja Kosovë-BE, e cila mundëson themelimin e Gjykatës Speciale të Kosovës dhe vazhdimin e mandatit të ristrukturuar të misionit EULEX deri në qershor të vitit 2016.

Me një shumicë votash Parlamenti i Kosovës ratifikoi të mërkurën me datën 23.04 2014 marrëveshjen Kosovë-Bashkim Evropian, e cila mundëson themelimin e Gjykatës Speciale të Kosovës dhe vazhdimin e mandatit të ristrukturuar të misionit EULEX deri në qershor të vitit 2016. Për këtë të fundit do të duhet amandamenitimi i një serë ligjesh të Kuvendit të Kosovës. 89 deputetë votuan pro themelimit të Gjykatës Speciale, ndërsa 22 votuan kundër.

Të gjitha subjektet politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, me përjashtim të lëvizjes Vetvendosja, votuan në favor të themelimit të Gjykatës Speciale, ndonëse pothuaj të gjithë thanë se janë në presion nga bashkësia ndërkombëtare dhe janë para një fakti të kryer. Ose Kuvendi i Kosovës ta votojë themelimin e Gjykatës Speciale, ose këtë do ta bëjë Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/gjykata-kushtetuese-i-thote-po-themelimit-te-gjykates-speciale/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala