Gjykata i liron nga akuza gjashtë zyrtarë të komunës së Pejës

Autori:Avdyl Pajaziti

Në Gjykatën Themelore të Pejës, të enjten trupi gjykues i ka liruar nga akuza për shpërdorim të detyrës zyrtare ose autoritetit zyrtarë, gjashtë zyrtarë të komunës së Pejës; Xhemë Berisha, Leonard Shabanaj, Vllaznim Përgjegjaj, Negihane Broqi, Nysret Lipa, Kujtim Lika dhe Tahir Cukaj, raporton korrespodenti i Kohës Ditore nga Peja.

Duke lexuar aktgjykimin për secilin të akuzuar, kryetari i trupit gjykues, Sylë Lokaj, tha se ata lirohen nga akuza sepse nuk është provuar se ata kanë kryer veprat për të cilat akuzoheshin. Ish Drejtori i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Tahir Cukaj, ka qenë i akuzuar se ka keqpërdor detyrën zyrtare ose të autoritetit me dyshime se ka lëshuar kundërligjshëm leje për transportin e lëndës drunore dhe një vërtetim për prejardhjen e lëndës drunore, si dhe për dhënien në shfrytëzim të tokën bujqësore në kundërshtim me ligjin. Këto akuza sipas trupit gjykues nuk janë provuar dhe ai është liruar nga akuza. Ndërsa pesë zyrtarët tjerë janë akuzuar lidhur me shpalljen e përfituesit të tenderit në vitin 2012, për sigurimin fizik të objekteve komunale, që e kishte fituar në konsorcium me një kompani tjetër kompania “Magnum Security”, pronë e zyrtarëve në Drejtorinë e Arsimit, Leonard Shabanaj dhe Vllaznim Përgjegjaj.

Këta të dy janë akuzuar për veprën penale si bashkëkryerës të shpërdorim të detyrës zyrtare ose autorizimit, pasi ata si zyrtarë komunal në postet që kanë qenë nuk kanë pasur të drejtë ligjore të konkurrojnë me kompaninë e tyre në këtë tender. Ndërsa, Xhemë Berisha, menaxher i Zyrës komunale të Prokurimit është akuzuar për veprën penale të ushtrimit të ndikimit dhe shpërdorimit të detyrës zyrtare ose abuzimit. Berisha është akuzuar se ka ndikuar me pozicionin e tij te komisioni vlerësues për përzgjedhjen e përfituesit të këtij tenderi, si dhe për tejkalimin e një pagese më shumë se që është e paraparë në kontratë. Anëtarë të këtij komisioni vlerësues për përzgjedhjen e fituesit në këtë tender kanë qenë edhe Negihane Broqi, zyrtare në Drejtorinë e Arsimit, si dhe Nysret Lipa dhe Kujtim Lika, zyrtarë në Administratën Komunale respektivisht në Drejtorinë e Shëndetësisë, të cilët janë akuzuar për shpërdorim të detyrës zyrtare ose autoritet zyrtarë. Këta të tre janë akuzuar se kanë ndihmuar në përcaktimin e shpalljes së përfituesit të tenderit, pasi i kanë njohur pronarët e kompanisë “Magnum Security”. Të pesë të akuzuar rreth këtij tenderi dhe tash të liruar nga akuzat, aktualisht janë të suspenduar nga puna dhe shpresojnë të kthehen sërish në vendet e tyre të punës pas shpalljes së aktgjykimi. Por, duket se kjo mund të zgjasë pasi prokuroja e lëndës, Sahdie Gashi nuk e ka ndërmend të pajtohet me aktgjykimin e shpallur nga trupi gjykues.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/gjykata-i-liron-nga-akuza-gjashte-zyrtare-te-komunes-se-pejes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala