Gjykata e Apelit vendos për Remin dhe Latif Gashin

Autori:Avdyl Pajaziti

Më 11 gusht 2015, Gjykata e Apelit e ka marrë aktgjykimin me numër PAKR 440/13. Gjykata e Apelit e ka bazuar aktgjykimin në fjalë në ankesat kundër aktgjykimit P 448/2012 të Gjykatës Themelore të Prishtinës, të ushtruara nga mbrojtësi përkatës i të pandehurit L.G., i pandehuri N.M. si dhe i pandehuri R.M. Gjykata e Apelit ka vendosur si më poshtë:

Ankesa e ushtruar në emër të të pandehurit N.M. është hedhur poshtë si e paafatshme. Ankesa për të pandehurin L.G. dhe ankesa për të pandehurin R.M. janë pranuar në mënyrë të pjesshme, ashtu që në dispozitiv duhet të përfshihet pjesa ku përcaktohet që koha e kaluar në paraburgim do të llogaritet në vuajtje të dënimit.

Aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës është ndryshuar ex officio në përputhje me këtë në pjesën e dispozitivit, po ashtu edhe për të pandehurin N.M. Pjesa tjetër e ankesave është refuzuar si e pabazuar. Rrjedhimisht, është vërtetuar pjesa tjetër e aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, transmeton Koha.net.

Kjo nënkupton që të pandehurit L.G., N.M. dhe R.M. shpallen fajtorë për pikën 8 të aktakuzës së ndryshuar, përkatësisht për krime të luftës kundër popullsisë civile, në veçanti trajtim çnjerëzor, shkaktim i vuajtjeve të mëdha apo cenim i integritetit trupor ose i shëndetit, aplikim i masave të frikësimit, terrorit dhe torturës, në kundërshtim me nenin 142 të Kodit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (Gazeta Zyrtare e RSFJ-së, nr. 44 e datës 8 tetor 1976) (KPRSFJ), lidhur me nenet 22, 24 26 dhe 30 të KPRSFJ-së, për shkak se nga muaji tetor 1998 deri kah fundi i prillit 1999, L.M. dhe N.M. dhe R.M., me përgjegjësi mbikëqyrëse dhe personale, duke vepruar në bashkëpunim me individë të tjerë të paidentifikuar dhe në bazë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale, kanë urdhëruar dhe kanë marrë pjesë në rrahjen dhe torturimin e civilëve shqiptarë të Kosovës të mbajtur në mënyrë të kundërligjshme në qendrën e mbajtjes së të burgosurve në Llapashticë në përpjekje të detyrimit me forcë të këtyre të burgosurve që t’i pranojnë aktet e pabesisë së tyre ndaj UÇK-së.

Me aktgjykimin e mëhershëm të Gjykatës Supreme, të tre këta të pandehur janë shpallur fajtorë për pikën 5, ndërsa i pandehuri L.G. po ashtu është shpallur fajtor edhe për pikën 14. I pandehuri L.G. do ta vuajë dënimin unik sipas pikave 5, 8 dhe 14 prej 6 (gjashtë) vjet burgim, i pandehuri N.M. do ta vuajë dënimin unik sipas pikave 5 dhe 8 prej 3 (tre) vjet burgim, ndërsa i pandehuri R.M. do ta vuajë dënimin unik sipas pikave 5 dhe 8 prej 4 (katër) vjet burgim.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/gjykata-e-apelit-vendos-per-remin-dhe-latif-gashin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala