Gjykata e Apelit lë pa mandat dy deputetët e PDK-së

Partia Demokratike e Kosovës momentalisht është pa dy deputetë në Kuvend. Latif Gashi, i njohur me nofkën “Lata” dhe Rrustem Mustafa, i njohur me nofkën “Remi”, me automatizëm kanë humbur mandatin e deputetit, kur Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë dhe ka lëshuar aktgjykim të formës së prerë.
Sipas Kodit të Procedurës Penale, neni 488, pika 2, aktvendimi merr formën e prerë dhe ekzekutohet kur ndaj tij më nuk mund të ushtrohet ankesë ose kur nuk lejohet ankesë.
E vetmja formë që tani mbrojtja e të dënuarve për krime lufte ka thënë se do të përdorë është ajo e mbrojtjes së ligjshmërisë, që është mjet i jashtëzakonshëm dhe jo ankesë, raporton KTV.
Po sipas Kodit të Procedurës Penale, në rastet penale, aktgjykim i formës së prerë konsiderohet aktgjykimi i nxjerrë nga Gjykata e shkallës së dytë, ajo e Apelit.
E vetmja mundësi kur mund të parashtrohet ankesë ndaj aktgjykimit të Gjykatës së Apelit është nëse kjo gjykatë e ndryshon aktgjykimin lirues të themelores dhe e zëvendëson me aktgjykim dënues ose kur me aktgjykim është shqiptuar burgim i përjetshëm, mundësi që nuk kanë të bëjnë me rastin e dy deputetëve të Kuvendit.
Sipas nenit 8, pika 1.6 e Ligjit për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit, ky humb mandatin me vendim të formës së prerë të gjykatës, kur dënohet për vepër penale me burgim për 1 ose më shumë vjet.
Të njëjtën e parasheh edhe Rregullorja e punës së Kuvendit.
Latif Gashi është dënuar me 6 vjet burgim, ndërkaq Rrustem Mustafa me 4 vjet burgim për krime lufte në të njohurin si Grupi i Llapit, proces që ka nisur në vitin 2002.
KohaVisioni ka kontaktuar me kabinetin e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, të cilët kanë thënë se ata ende nuk kanë pranuar asnjë shkresë nga Gjykata.
Vendimi nga Gjykata e Apelit është marrë në muajin gusht, ndërkaq është bërë publik të premten e kaluar.
Në Gjykatën Themelore, e cila është e autorizuar për ekzekutim të vendimit, nuk kanë dashur të flasin, me arsyetimin se përgjegjës është EULEX-i.
Latif Gashi dhe Rrustem Mustafa, deputetë të PDK-së, sipas platformës Vota Ime, asnjëherë nuk kanë bërë asnjë pyetje parlamentare në këtë mandat të Kuvendit të Kosovës.