Gjykata e Apelit e lë në arrest shtëpiak shkaktaren e aksidentit “Te Rrethi”

Autori:Avdyl Pajaziti

Sh.D. e cila shkaktoi aksident dy javë më parë, tek “Rrethi” në Prishtinë, i është caktuar masa e arrestit shtëpiak për një muaj. Fillimisht vendimi është marrë në Gjykatën Themelore të Prishtinës e më pas është konfirmuar nga kolegji penal prej tre gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit.

Drejtoresha në Departamentin e Politikave të Zhvillimit Rural në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Sh.D, sipas prokurorisë është e dyshuara kryesore për aksidentin e trafikut që la të plagosur 11 persona duke rrezikuar trafikun publik.

“Prokuroria e shtetit për këtë rast është duke zhvilluar hetimet pasi që Sh.D dyshohet se ka kryer veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Gazetën Express.

Në anën tjetër Gjykata Themelore ka caktuar masën për arrest shtëpiak për një muaj ndaj të dyshuares. Për këtë vendim është ankuar masa mbrojtëse e Sh.D kundër masës të cilën e ka caktuar Gjykata Themelore në Prishtinë. E ankesën e palës mbrojtëse e ka refuzuar kolegji i penal prej tre gjyqtarësh të Gjykatës së Apelit duke e konsideruar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 22.09.2015. Këta të fundit e kanë lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore konform dispozitës së nenit 183, lidhur me nenin 187 të Kodit të Procedurës Penale.

“Kolegji penal prej tre gjyqtarësh i Gjykatës së Apelit, ka lënë në fuqi masën e arrestit shtëpiak prej një muaji, ndaj të pandehurës Sh. D. Kështu Apeli ka refuzuar si të pa bazuar ankesën e mbrojtësit të dyshuarës në fjalë, kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 22.09.2015”, është përgjigjja e Gjykatës së Apelit.

Express javë më parë ka raportuar për aksidentin tek “Rrethi” që la të plagosur 11 persona. Sipas burimeve të Gazetës Express e dyshuara është duke kaluar në një gjendje të rëndë emocionale dhe psiqike. Por këto ende nuk janë vërtetuar nga Prokuroria.

“Prokuroria ende nuk ka vërtetuar se e dyshuara vuan nga ndonjë sëmundje me të cilën do të pengonte rrjedhat e mëtejme procedurale-penale, e sa i përket si rrethana lehtësuese edhe ato rënduese mbetet të vërtetohen në Gjykatë”, thuhet në përgjigje.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/gjykata-e-apelit-e-le-ne-arrest-shtepiak-shkaktaren-e-aksidentit-te-rrethi/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala