Gjilani precizon detajet e faljes së borxheve për bizneset

Autori:Avdyl Pajaziti

Drejtori për Zhvillim Ekonomik, Agim Zuzaku, i shoqëruar edhe nga drejtori i Shërbimeve Publike, Urbanizmit dhe ai i Prokurimit, në një konferencë për media, ka thënë se në bazë të ligjit për falje të borxheve, Komuna e Gjilanit pret që bizneset të cilat kanë borxhe, të identifikojnë borxhin në DZHE, e më pas me shkrim të bëhet kërkesa për falje të borxhit që është grumbulluar deri në vitin 2008.

Me këtë rast, drejtori i Zhvillimit Ekonomik, Agim Zuzaku, ka ftuar të gjitha bizneset që të drejtohen në zyrat e kësaj drejtorie, për të identifikuar obligimet ndaj taksës komunale deri në vitin 2008.

“Ftoj të gjithë përfaqësuesit e bizneseve që të vijnë në zyrat e drejtorisë sonë, për të identifikuar obligimet e grumbulluara deri në vitin 2008, e më pas të bëjnë kërkesën për faljen e borxheve në formën zyrtare. Borxhet që do të falen deri më 31 dhjetor 2008 për bizneset në Gjilan dhe kapin shumën e 1,686,253.97 euro, ndërsa pjesa e obligimeve që mbeten deri në fund të vitit 2014 në kategorinë e subjekteve juridike është 139,021.64 euro”, ka thënë drejtori Zuzaku, duke apeluar që të gjithë të afrohen në këtë drejtori dhe të bëhet lëvizje përpara, ngase borxhet e mbetura janë shumë të vogëla në krahasim me shumën që falet prej rreth 1.7 milionë euro.

Ndryshe, dokumentet e nevojshme për të bërë kërkesë në Qendrën për Shërbime të Qytetarëve, për shlyerje të obligimeve deri më 31 dhjetor 2008, janë kopja e letërnjoftimit, certifikata e biznesit, certifikata e numrit fiskal, por edhe dëshmia për pagesën e obligimeve prej 1 janar 2009.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/gjilani-precizon-detajet-e-faljes-se-borxheve-per-bizneset/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala