Gjilani ndërpret transportin falas të nxënësve

Qeverisja lokale e Gjilanit s’i ka përmbushur premtimet për transport nxënësish në shkolla falas. Ndërsa Lutfi Haziri, kryetar i Komunës, pati premtuar gjatë fushatës elektorale se nxënësve do t’u sigurohet transporti falas nëpër shkolla, shkruan sot Koha Ditore.
LDK-ja, e cila qeveris këtë komunë, me të marrë pushtetin e ka shkelur këtë premtim, duke bërë ndërprerjen e transportit falas për nxënësit. Më së shumti kanë pësuar nxënësit që gravitojnë nga fshatrat e Gjilanit.
Por të njëjtin fat e kanë pësuar tashmë edhe nxënësit e SHMB “Arbëria”, e cila gjendet në lagjen e “Vishnjeve”, ku nga drejtoria e shkollës atyre u është komunikuar se duhet që të paguajnë biletën mujore prej 3 eurosh.
Drejtoria Komunale e Arsimit kishte premtuar stimulim për nxënësit që shfaqnin interesim për t’u regjistruar në këtë shkollë bujqësore, në mënyrë që të rritet numri i nxënësve nëpër paralele meqë ka mungesë të madhe të nxënësve.