Gjermania donatori i dytë më i madh i Shqipërisë

Autori:Avdyl Pajaziti

Gjermania mbështet Shqipërinë që prej vitit 1988 dhe është donatori i dytë më i madh në nivel dypalësh në kuadër të ndihmës për zhvillim, veçanërisht në sektorët me rëndësi qendrore të furnizimit me ujë të pijshëm dhe energji elektrike dhe të mbështetjes në ndërtimin e demokracisë. Ajo gëzon respekt të madh si nxitëse e procesit të reformave në Shqipëri. Një ringjallje të parë të tyre këto marrëdhënie e përjetuan në pranverën e vitit 1991 me fillimin e procesit demokratik. Interesi i dyanshëm për zhvillimin e tyre bëhet i qartë nga vizitat e shpeshta dhe mbresëlënëse që pasuan.

Për Shqipërinë është e rëndësishme në këtë kontekst të sigurojë mbështetjen gjermane gjatë rrugës së saj për në Evropë si dhe të garantojë vazhdimësinë e gatishmërisë së treguar gjatë procesit të transformimit për kontribute të konsiderueshme në ndryshimin e strukturave ekonomike. Ndërsa në interesin e Gjermanisë është që përmes mbështetjes së procesit të transformimit demokratik të kontribuojë në nivel dypalësh dhe si partner i BE-së për raporte të qëndrueshme në Shqipëri dhe rajon. Ky objektiv, i bazuar mbi parimin e vazhdimësisë, shënoi një dimension të ri me zhvillimet në Ish-Jugosllavi, të cilat arritën kulmin në marsin e vitit 1999.

Befas Shqipëria dhe vendet e saj fqinje u vunë në qendër të interesit politik gjerman. Që prej përfundimit të luftës në Kosovë ka marrë një rëndësi të veçantë motivimi i Shqipërisë që të vazhdojë të japë kontributin e saj të domosdoshëm për stabilitetin e rajonit. Veç mbështetjes politike Gjermania gjithashtu nxit zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, veçanërisht në bujqësi marrin mbështetje të rëndësishme në formën e kredive, granteve, trajnimeve dhe konsulencës. Kontributet gjermane që nga viti 1988 arrijnë në një total prej më shumë se një miliardë euro.

Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2014 në Shqipëri kanë operuar 146 ndërmarrje gjermane dhe të përbashkëta shqiptaro – gjermane nga 121 që ishin në vitin 2010, dukë pësuar një rritje me mbi 20 për qind. Volumi tregtar me Gjermaninë në vitin 2014 ishte rreth 40.2 miliardë lekë (287 milionë euro) duke pësuar një rritje prej rreth 29 për qind në krahasim me vitin 2010. Nga pikëpamja e volumit tregtar, Gjermania në vitin 2014 renditet si partneri i pestë tregtar më i madh me Shqipërinë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/gjermania-donatori-i-dyte-me-i-madh-i-shqiperise/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala