Gjermania, do vazhdojë mbështetjen për OEGjK-në

Autori:Avdyl Pajaziti

Ambasada Federale e Gjermanisë në Kosovë, do të vazhdojnë bashkëpunimin dhe mbështetjen e fuqishme për Odën Ekonomike Gjermano Kosovare.

Ky ka qenë mesazhi i zëvendësambasadores së Gjermanisë në Kosovë znj. Christina Gehlsen, gjatë takimit të zhvilluar në ambientet e OEGJK-së, ku është pritur nga presidenti Samir Krasniqi dhe drejtori ekzekutiv Albert Matoshi.

Në takimin njohës me zëvendësambasadoren znj. Gehlsen, meqë së fundmi ajo është ngarkuar në këtë pozitë, presidenti i Odës Ekonomike Gjermano Kosovare z. Krasniqi dhe drejtori ekzekutiv z. Matoshi, e kanë njoftuar atë me angazhimin e OEGJK-së për të thelluar bashkëpunimin ekonomik të ndërmarrësve të të dyja vendeve.

Duke folur shkurtazi rreth themelimit të OEGJK-së, Krasniqi e informoi mysafiren rreth historikut dhe krijimit të saj me 2012, duke pas mbështetjen kryesore të Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë.

Presidenti z. Krasniqi, gjithashtu e njoftoi zëvendësambasadoren znj. Gehlsen edhe me aktivitetet e OEGJK-së në të kaluarën dhe rolin e Odës në ndërmjetësimin mes kompanive gjermane dhe kosovare.

Ai po ashtu foli edhe për mundësitë që OEGJK ofron për të gjitha kompanitë gjermane që janë të interesuara të investojnë në vendin tonë, duke theksuar se OEGJK i këshillon ato, u jep informata të rëndësishme, si dhe po përpiqet në ndërtimin e një ure të shëndoshë bashkëpunimi mes bizneseve kosovare dhe atyre gjermane.

Gjithashtu z. Krasniqi, në pika të shkurtra foli edhe për gjendjen e ekonomisë kosovare dhe klimën e të berit biznes.

Drejtori ekzekutiv i OEGJK-së z. Albert Matoshi, e njoftoi znj. Gehlsen, për anëtarësinë e Odës, kategoritë e anëtarësisë dhe profilin e kompanive anëtare.

Drejtori z. Matoshi theksoi faktin se OEGJK në vazhdimësi punon në fuqizimin e partneritetit mes firmave gjermane dhe kosovare, çfarë do t´u mundësonte ndërmarrjeve të Kosovës hyrje në tregun gjerman me qëllim të ngritjes së eksportit.

Ai i përmendi znj. Gehlsen edhe për disa nga shërbimet më të mira që ofron OEGJK, sikur është edhe sjellja e ekspertëve senior nga Gjermania për të ndihmuar në fusha të ndryshme bizneset kosovare.

Zëvendësambasadorja znj. Gehlsen, duke e vlerësuar lartë angazhimin dhe punën e OEGJK-së, u shpreh e gatshme ta mbështesë Odën edhe me tutje, si një mekanizëm lidhës ndërmjet kompanive gjermane dhe kosovare për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/gjermania-do-vazhdoje-mbeshtetjen-per-oegjk-ne/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala