Gjermani, fryma antirefugjatë po rrit “PEGIDA”-n dhe rivalët e Merkelit

Autori:Gazeta Fjala

Vërshimi i emigrantëve “i ka hedhur benzinë zjarrit” të pakënaqësisë ndaj të huajve në Gjermani, duke vënë sërish në lëvizje edhe PEGIDA-n e fjetur prej disa kohësh.

Rituali i marshimeve të fillimjavës, përmes Drezdenit dhe qyteteve të tjera, po bëhej pjesë e së shkuarës, megjithatë këtë të hënë nisi përsëri me 9.000 vetë, që marshuan në kryeqendrën e Saksonisë.

Tubuesit e quajtën Angela Merkelin tradhtare, ndërsa azilkërkuesve iu referuan si “kope bagëtish”.

Europianët Patriotë kundër Islamizimit të Perëndimit nuk janë të vetmit, që po njohin ripërtëritje. Me klimën e krijuar në vend, rritje shënon edhe Partia Nacionaldemokrate e Gjermanisë, NPD.

Po të mbaheshin sot zgjedhjet në Saksoni, – thotë “Deutsche Welle”, NPD-ja do ta kapërcente pa vështirësi pragun e 5% të përfaqësimit parlamentar, e kjo i detyrohet edhe faktit, që forca politike në fjalë është duke gjetur simpatizantë në radhët e qytetarëve të qendrës.

Të gjitha partitë e ekstremit të djathtë janë duke përfituar në fakt nga situata e po tërheqin një numër aspak të parëndësishëm votuesish nga qendra.

Pak muaj më parë, Alternativa për Gjermaninë “AfD” u duk se mori fund krejtësisht, për shkak të përçarjes brenda radhëve të saj. Sot, ajo është duke përjetuar një rritje të fuqishme.

Një prej drejtuesve të saj, kryetari i partisë në Brandenburgut, Alexander Gauland është duke fituar pikë me prezantimet publike, duke përdorur një citat minimal, vetëm se të ndryshuar në kahun e kundërt: “Ne nuk duam t’ia dalim”. Duke iu referuar kështu citatit të kancelares: “Ne mund t’ia dalim”. Një referim ky ndaj pranimit të emigrantëve.

Që nga marsi i ardhshëm në landet Saksoni-Anhalt, Rheinland-Pfalz dhe Baden Vyrtemberg llogaritet të ketë zgjedhje rajonale, e tashmë është e qartë se refugjatët do të përbëjnë temën qëndrore të betejës elektorale.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/gjermani-fryma-antirefugjate-po-rrit-pegida-n-dhe-rivalet-e-merkelit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala