Gjeneral Kastrati mori “Urdhrin e Pavarësisë” nga Jahjaga

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e ka dekoruar të premtën komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, me “Urdhrin e Pavarësisë”.
Jahjaga falënderoi gjenerallejtënant Kadri Kastratin, në përfundimin e detyrës së tij si komandant i FSK-së, për përkushtimin e tij shumëvjeçar në ndërtimin e këtij institucioni shembull të Republikës së Kosovës.
“Nën udhëheqjen tuaj e kemi parë FSK-në të ngritet mbi çdo sfidë, të fuqizohet dhe të kalojë barriera fizike, me shtrirjen e dorës së ndihmës secilit qytetar të Kosovës. Ju keni dhënë kontribut të çmueshëm për ndërtimin e vizionit për të ardhmen e FSK-së dhe transformimin e kësaj force në Forcat e Armatosura të Kosovës, një përgjegjësi që u mbetet ta jetësojnë pasardhësit tuaj”, tha Presidentja Jahjaga.
Kastrati falënderoi Presidenten Jahjaga për vlerësimin për punën e tij, falënderoi ushtarët nënoficerët dhe oficerët e FSK-së, ministrin e FSK-së, për përkrahjen e vazhdueshme për zhvillimin dhe transformimin e FSK-së.
Në ceremoninë e organizuar ishin të pranishëm edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, si dhe zyrtarë të tjerë të FSK-së.