Gjendja e rëndë e pyjeve si shkak i prerjeve pa leje

Situatën edhe më shumë e rëndon shpërndarja e kompetencave nëpër komuna.
Kompetencat për mbrojtjen e pyjeve, të shpërndara në katër institucione, po shkaktojnë konfuzitet dhe paqartësi të mëdha lidhur me mbrojtjen e tyre.
Kështu vlerëson kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë Pyjore të Kosovës Ahmet Zejnullahu. Sipas tij, delegimi i ko0mpetencave në nivel lokal vetëm sa e ka rënduar edhe më shumë gjendjen në pyjet e Kosovës.
“Shpërndarja e panevojshme e këtyre kompetencave na ka krijuar telashe shumë të mëdha. Ne nuk e dëgjojmë më asnjë kryetar të asnjërës komunë duke thënë se pyjet po shkatërrohen sepse vet ata janë kompetentë dhe përgjegjës. Vet i kanë rojet e pyjeve dhe vet i kanë tenderët”.
Gjendje e rënde qëndron edhe në parqet nacionale që menaxhohen nga Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor.
Madje, sipas Ahmet Zejnullahut, inspektorët e Agjencisë Pyjore të Kosovës janë ndaluar që të bëjnë kontrollimin e sipërfaqeve të dëmtuara në pyjet e parqeve nacionale.
“A lyp kush përgjegjësi sot që gjendje në parqet nacionale është më e keqe sesa që ka qenë më përpara. Mirëpo, tash ne nuk e kemi të drejtën me ndërhy atje sepse na është ndaluar. Bile kemi pasur pengesa dhe është kërkuar edhe nga policia që as inspektorët tanë mos me i lejuar me kontrolluar atje”.
Mbrojtja efikase e pyjeve arrihet vetëm me miratimin e Ligjit ka potencuar Zejnullahu, sipas të cilit rishikimi i Ligjit për pyjet duhet proceduar sa më shpejtë në Kuvend dhe përmes tij të qartësohen kompetencat në mes institucioneve relevante për mbrojtjen e tyre./rtk/